Seti Pezaku Vladi-MENDIMIT RINOR


Seti Pezaku Vladi

MENDIMIT RINOR

O Mendim Rinor!
Me vesë mëngjesesh larë,
rritur n’auditore si fllad pranveror,
ushqyer me mjaltin e baltës së artë
në vullnete zemrash bashkuar,
në paragrafe rreshtash të zjarrtë.

Ti, që errësirën e fik dhe ndez dritë,
ndryshon poltrone me dorën ngrit,
fluturo i lirë
si pëllumb i bardhë
mes njerëzve të mirë!

Në bujarinë e tyre mbështete kokën,
me dashuritë e tyre netëve mbulohu
dhe kur bora e acari ta mbulojnë tokën,
në zemrat e tyre futu dhe ngrohu.

Bëhu qelizë zhvillimi e sofrës tënde,
mos hidh mbi supe torbën e kurbetit
në kurriz të emrit e dinjitetit!
Njeriu është mbret,
në vendin e vet.

Bëhu fushë me grurë,
erë e ngrohtë e tokës,
larto kantiere ku puna të vlojë,
vadit djersën e vjetër me djersën e moshës,
bardhësia jote zemrat t’i bashkojë!

Netëve pa hënë ndiz llampa e kthe ditë,
të mos lutet njerëzia “duam pak dritë!”.
Shko në shkolla ku cicërojnë dallëndyshet,
bëhu ngrohtësi e duarve të ngrira,
me kostumin e djersës tënde të vishet
çdo shpresë e përgjumur me konture të mpira.

Me dashuri zemrash në zemër
ec duke ndriçuar,
bëhu Kushtetutë ,
drejtësi e pa gabuar!

@seti pezaku vladi 

About Post Author