Seti Pezaku Vladi-NË ËNDËRR ME MIGJENIN


Seti Pezaku Vladi

  ·   · 

NË ËNDËRR ME MIGJENIN

Në ëndërr u takova me poetin

mbi një log reje të bardhë si loti.

Era na shtynte,

era na ulte e na ngrinte.

Karvane malesh

ende nën flamuj melankolie,

zgjatim i një muzgu nate shamizezë

me dhembjen që s’fle.

Malli e kish marrë

për cicërimat e syve të jeshilta.

Shpirti i shqetësuar trokiti nëpër dyer

si dikur me libra në dorë.

Priste të shikonte

buzëqeshje të stolisura fatesh,

mjegullnaja ia theu shpresat.

Mulliri buzë përroit bluante ende varfërinë,

pranverat çelnin lule, por nuk erëmonin,

gjoksi i grisur i maleve

këndonte balada vetes.

Një shigjetë trupin i përshkoi,

uli kokën dhe heshti si në një mort.

Sytë në përpëlitje preknin refrene jete.

Herë-herë me ekuacione binjake

me gjymtyrë të ndryshuara.

Kapërcyen vitet të kërrusur me dhembje

me zota të perënduar…

Eh, vitet tona të nemura

hipur mbi qerre motivesh të largëta!

Loti i thinjur

u këput e ra mbi valët e Drinit.

Psherëtiu dhe Rozafa lart mbi shkëb!

Nga logu i resë që lëviste

një gravur i dilte përpara:

Disa në valse oborrtarësh,

të tjerë në trishtimin e djepit të skamjes.

-Një gur i rrokullisur ky fat!,-foli

nëpër dhëmbë poeti.

Lëvizte logu,

lëviznin edhe arat djerre,

shtretër lumenjsh të gërryer,

Valbona që lëngonte

dhe në heshtje fshihte lotin,

malet pa lisa e çerdhe jete.

Shtigjeve priste plaga dhe shpaga…,

një tjetër mal rrëzonte plumbi i zi!

Të kapërcente brengën e zemërimit

këngët e rinisë deshi të dëgjonte.

-Amaneti juaj,

tretet në flukse emigrimi, poet!,-dëgjoi një zë.

Një rrudhë e thellë ballin i plugoi.

Taraboshi mbi supe i ra dhe vikati:

-Rini, dhembja e kockës sime!

Pash sytë e tu,

lere këngën tënde të marrë udhë,

udhëve të vendit tënd!

Shkule nga rrënjët gramin që bimët zvenit,

mbill trëndafila të kuq si gjaku yt!

Heshti me kokën ndër duar.

Bubulloi qielli!

Në logun e resë me krahë pëllumbi

u ngjit shkallëve të qiellit

si një psherëtimë e shpirtit të erës.

U bashkua me yjet të digjet në përjetësi

mbi brengën e vet.

Nuk arrita t’i jap Jezercën me mall.

U zgjova.

@seti pezaku vladi

About Post Author