PËRJETËSIA USHQEN DASHURINË
E dua qiellin e pastër me yj’ qëndisur
kur hën’ e artë më bën magji,
më ndez në sy me mijëra yje,
lozonjarja me mua ka rënë në dashuri.
E dua flladin në agun pranveror
kur puhiza lehtas flokët mi përkund,
në buzët e erës si flutur vrapoj,
në degëza qershie të ndezura pafund.
I dua burimet me sytë e kristalta,
këngën e gurgillimës ujit të ftohtë
hedhur n’ujëvara me jehonë thellësie
me vellon e bardhë në stinën e ngrohtë.
I dua ditët me diell e shirat e pranverës
kur ylberi shkel syrin mbi kodrina,
hedh harkun me ngjyra mbi petale lulesh,
bisqet shpërthejnë mbi të blertat lugina.
E dua detin me delfinë e pasuri,
pulëbardhat dallgëve krifëbardha vallëzojnë,
zbresin mëngjese e mbrëmje në brigje,
këngën e mistershme të sirenave dëgjojnë.
Dhe motin e trazuar me shira e bubullima
i dua si kolor i shpirtit njerëzor,
peizazhin e trishtë në vargje e pëkthej
bëhen klorofilë dhe ushqim shpirtëror.
Mahnitem me këngën e bilbilit në degë,
me V-në e patave kur vijnë e largohen,
me rregullsinë e botës deri në qelizë
nga lindin sythe mirësie e lulëzohen.
E dua dhe këngën e zjarrit bubulak të dimrit,
zhurmën, rrokullimën, vetminë e gjallërinë,
e uritur unë jam, të gjitha, të gjitha i dua
të mbledhura në tufë, gjithë përjetësinë.
@Seti Pezaku Vladi
