Seti Pezaku Vladi
PORTRET
Treni çan kthesën me sirena.
Në ndenjësen përballë
ulet një trup i thyer
si lis me borë ngarkuar,
sytë përdhe gozhdon.
Herë-herë,
brengat shfryn me ofshama
me fjalë të shurdhëta buzëve
me dhembjen flet.
Refren i tij i përsëritur…
Ra sirena e fundit.
U ngritën nga ngujimi ata sy
si dy copa akulli plasaritur,
të rrudhur e përhumbur
në një mjegull shpirti.
Dy sy të thellë
si dy liqene të tharë
futur në ballin e pluguar
me brazda shpatesh.
Zbriti duke tërhequr këpucët e rënda
dhe shkeli mbi tokën e lagësht.
Gjurmët e tij
grisnin mjegullën e natës
me krisma shiu që me vete e mori.
Qielli ndizte fenerë vetëtimash.
Mu gërvisht gjumi sonte!
