Seti Pezaku Vladi-RELIEV


Seti Pezaku Vladi

RELIEV

Pëllëmbë toke,
kreshtë,
shkëmb e det,
fusha të pagjumëta
të rrudhosura
me gurgullima lumenjsh,
erëmime buke.
Përdore
stinët vallëzojnë
me njëra–tjetrën.
Borë, shi e dritë,
diell përditë.
Ngjyra e detit
kacavirret shkumëbardhave
në kurriz dallgësh
përqafuar
në krahë pulëbardhash
dhe hidhet
në këmbët e rërës,
brigjeve sirenash.
Qielli blu
me hënë të plotë,
herë të drapëruar
syve të kaltër coptohet.
Yjet
lahen në ninulla
valbonash e radikash
që zbresin
si kope të bardha
shtigjesh e brigjesh.
Male epike,
tribuna vigane
barsolina mbi valët blu
me tinguj lahute veshur,
prerë
thikë–thikë
me shpatat ngjeshur.

Ky reliev,
nga dorë
e cilit magjishtar
do jetë punuar vallë?!

@seti pezaku vladi

About Post Author