550 vjet më parë vijon të përkundet ende legjenda tragjike me historinë e 90 vajzave krutane. Korbat turq kishin bastisur krahinën, vrarë gjithë burrat e atij vendi, fëmijët i kishin marrë për t’i rritur e përgatitur për ushtrinë turke, ndërsa femrat do t’i përdorte ushtria…
Nga shkëmbi në 200 m. lartësi, 90 vajza krutane të kapura dorë për dore me njëra-tjetrën u hodhën me guxim në humnerë për të mos ju dorëzuar të gjalla në duar të armikut dhe mbetën përjetë të jetëve burrnesha shqiptare të lira, të pastra e të papërkulura. Lavdinë e tyre po e ngrenë lart bijat e bijtë e atdheut tonë, që i kujtojnë me krenari.
Nga kjo ngjarje e lavdishme heroike
e legjendës, mora frymëzimin dhe
i kushtova poezinë “SHKËMBI I VAJIT”.
———–***
SHKËMBI I VAJIT
“Shkëmbi i Vajës”, i thonë.
Midis dy malesh,
Puthur me buzët e qiellit
Mbeti pikëllim loti
Që kur shtizë e gjysmëhënës turke
Në trup të arbrit u ngul.
Nuk flen,
As nuk dremit,
Hesht,
Pikon dhembje dhe kujton atë kob
Që lidhi shami zezat nëna…
Nëntëdhjetë vajza krutane
Si nëntëdhjetë fishkëllima shpatash
Të kapura dorë për dore,
Nëntëdhjetë lulemolle
U këputën nga degët dhe
U hodhën në humnerë.
Nëntëdhjetë zana arbërie
Ranë mbi mjegullnajën e zezë me shi.
Bubulloi tufani,
Era shkuli flokët e lisave,
Gurrëbardhat prenë krojet,
Vajtuan qyqet majamalesh.
Hesht shkëmbi si Saharaja në zheg.
Vështron mjegullën e luginës,
Lulet e mollës që shpërthejnë.
Retë puplore shkëmbit i rrotullohen,
Nëntëdhjetë sorkadhe
Mbi supe i rrinë,
Nëntëdhjetë zambakë të bardhë çelin.
Në heshtjen e tij karakoll
Pushojnë shekujt,
Legjendat,
Elegjitë,
Vajet e ajkunave…
Në gjelbërimin epik mbi krye
Derdhen këngë bilbilash,
Ujëvarat me vello të bardha
Sytë e lotuar mbulojnë.
Nëntëdhjetë qirinj ndisen në sytë e mi!
@seti pezaku vladi
