Seti Pezaku Vladi-Ti dhe vjeshta


Seti Pezaku Vladi

  

TI DHE VJESHTA

Ti,

nuk qëndrove

të ecje mbi gjethet e arta të tetorit,

ndjeje magjinë e ngjyrave të vjeshtës,

t’i bëje shoqëri stolit të vjetër

nën pemën e mbjellë ndër mote

nga dora e legjendës Gëte .

Ti,

nuk qëndrove të dilje parqesh

kapur me duart e vogla të shpirtit,

të lozje me të

mbi tapetin e gjetheve verdhore,

të përqafoje fort

botën e tij ylber përrallore.

Ti,

nuk qëndrove të shikoje ILirinë,

thellësinë e rrënjëve të tokës,

Mbretin Genc (ndonëse i mundur)…,

mes mbretërve të botës.

Ti,

nuk qëndrove

se nata pa hënë përdore të mori,

lotin ta puthi syri i habitur

si kristal u këput e ra

në shpirtin e tharë për ta vaditur.

Ti,

ecje nëpër mjegull

me natën plasaritur,

me ëndrrën e vrarë

nëpër terr vrapoje

drejt ditës që prek,

nga pas le errësirën,

shkretëtirën që djeg.

Nëpër natën e errët pa dritën e hënës

ngjite mbi mjegull shkallët qiellore,

more me vete dhimbjen tënde,

dhimbjen e kyçur në zemrën e nënës.

Qielli i plumbtë grilën të hapi,

mëngjesi i përlotur ngadalë po vinte,

poshtë

ti le mjegullën,

errësirën,

le dhe shiun që nisi të binte.

@seti pezaku vladi

About Post Author