Seti Pezaku Vladi-TREQIND DUVAKËT E KUQ


Seti Pezaku Vladi

  · 

TREQIND DUVAKËT E KUQ

Marshonte ushtria në male e gryka

me shpata, topa e devé ngarkuar,

çdo mal që afrohej i shtohej frika,

vinte nga Anadolli për të pushtuar.

Të pushtonte një vend barrikadë stuhie

lindur me shkëmbin në shi e në erë,

me shqipen të gdhendur në porta shtëpie

mbushur me vranakontë, arianitas e skënderë.

-Allah,-thirri Pashai kur shkeli tokën,

dhe pamjen këto male e paskan rrebesh!

Mos lejo, o Zot, këtu ta lemë kokën,

të gjallë andej nga erdhëm, prap të na kthesh!

Mbi kampin e ngritur qielli po nxinte,

Pashai nën çadër planet hartoi,

donte ushtarëve moralin tu ngrinte

një ferman krahinës luriane dërgoi:

-Në doni miqësi me ne të mbillni

dhe zemrën e Sulltanit në çdo shtëpi,

treqind sorkadhe ujëvarash të sillni

në luginën e këngëve të Drinit të Zi.

Gjëmoi qielli mbi maja malesh,

të shtatë liqenet nisën vajtimin,

mblidhet pleqësia për zgjidhje hallesh,

treqind “nuset” të nisin udhëtimin.

Treqind “nuse” me duvakë nusërie

mbi treqind kuaj të bardhë si dëbora,

poshtë duvakëve, trima malësie

me shpata të mprehta çeliku te dora.

Treqind lisa “nuset” shoqëronin

me treqind këngë malesh dibrane

si shtëllunga reshë qeleshet zbardhonin,

brezat mbërthyer me jatagane.

Erdhi dhe dita nga fermani caktuar,

nisi dasma me rite osmanishte,

valët e Drinit vërshonin tërbuar,

u tha dhe blerimi e cicërima s’kishte.

Po digjej ahengu nga vallet e lodrat,

do hapte Sulltani hareme, buzuqe,

duvakët skuqën majat e kodrat,

nga Lura po vinin treqind lulëkuqe.

Kur mjegulla mbuloi pllaja e lugina,

mes kampit trimat hodhën duvakët,

gjashtëqind shqiponja sulen vetëtima,

kampit të Pashait i kallën flakët.

@seti pezaku vladi

About Post Author