Seti Pezaku Vladi-UDHËTAR ME VARFËRINË


Seti Pezaku Vladi

  · 

UDHËTAR ME VARFËRINË

(Poemth)

Albumi i kujtesës

më hedh në trajektore kohërash.

Trokëllijnë shpatat.

Mbi kalin e bardhë

me rripin e kuq lidhur kurorë ballit

fluturonte Arbëria.

Këputen fletët e kalendarit.

Janari vishet në zi,

acari dhembjen ngrin.

U thinjën malet,

harku i qellit përkulet mbi atdhe,

kokën ul shqiponja.

Lamtumirë Anté!

Pesë shekuj robëri

me diell të rrëzuar,

gjysmëhëna zveniste mbi bedena.

Shqiptar këmishëdjegur

në zjarre betejash,

në brirë drerësh e vare shpatën,

zhgënjim e peng i fatit,

udhëtar me varfërinë!

Sa herë të kanë vrarë,

të kanë coptuar,

gjithmonë je ngritur

me ashtin tënd prej shkëmbi,

me shpirtin tufan

derdhur në shtizë flamuri.

Me ëndrrën e bardhë

mbështjell me psherëtima,

me buzëqeshje të përgjakura

fluturove

me dy kobure në brez,

me shpirtin prej ere

nëpër meridiane e paralele.

Diku,

përplase grushtin,

diku bërtite:

-Lëshomani diellin!

Në Paris edhe qëllove.

Frynin erërat,

këputen fletët e viteve,

vitet e shekujve…

Flente verbëria

nën mashtrime reklamash,

skuqte nëpër gjokse shkronja “S” ,

lehnin gjurmët që lije nga mbrapa,

pemët çelnin sythe vëzhgimi,

përgjumej syri radhëve të mesnatës

nën këmbët e mëkatit ngritur statujë,

në copa e thërmuan gurgullimat e bardha,

epitafin ia shkroi epilogu i zemratës.

Çelën ëndrrat,

dielli të lindi në gazin e syrit,

me fjongo të bardhë erdhi liria.

U ngjite nëpër shkallët e qiellit,

këpute tufa yjesh,

me to,

mbi sfondin e tij blu

shkrove fjalën,

Demokraci!

Erdhi si ylber me ngjyra

pas një rrebeshi të gjatë.

Mashtruan me ty, demokraci,

më shumë deshën se nuk ditën,

e di.

Në emrin tënd

sajuan “çekun e bardhë”

dhe një palo “terapi shoku”.

Shembën

çerdhet e lejlekëve

oxhaqesh të larta.

Vajtuan bilbilat pyjeve të prera.

Arratija

u ngrit mal mbi dete,

piramidat u bënë predha,

gruri në fusha u bë drogë,

pranvera e luleve skuqet në Gërdec.

Shqiptar ëndërrgrisur

puthur me varfërinë!

Ti mbete viktimë

në udhëkryqe pazaresh,

mbete

Sizif i mitologjisë,

mëkatar pa mëkate

me gurin e rëndë mbi shpinë,

brum i fatit tënd

ngulur si gozhda në mur,

ngjasuar

me pëlhurën e Penelopës

që nuk mbaroi kurrë!

@seti pezaku vladi

About Post Author