Seti Pezaku Vladi:Bukuri Shqiptare


Seti Pezaku Vladi

Bukuri Shqiptare

Më sillnin netët e vegjëlisë
trimëri legjendash,
bukuri zanash.
Gjumin më përkundnin
këto krijesa mitologjike të largëta
pasuruar me fantazi breznish.
Natën flinin nëpër pyje
mbi shilarëse argjendi
kapur në degë lisash,
ditën futeshin
në shtatë portat e qiellit prej ari.

Më vonë…,
fantazia çeli sy e mori formë.

Tingujt e një simfonie hapën perden e magjisë.
Përkulet ylberi i dritave
kur një gjerdan zanash
ndezën zjarre pranvere.
Mjelma të derdhura në dashuri të bardha
nisën sfiladën e Miss-it në skenë.
Salla puliti sytë e hutuar!

Lulëzoi ankthi,
kënduan duartrokitjet
në olimpin e bukurisë shqiptare.
Ishin farfurima të hënëzuara,
rrjedhë e gjenetikës së rrënjës.

I pashë me sytë e mi
Zanat e përrallave dalë nga përrallat!

@seti pezaku vladi
19/02/2022