Seti Pezaku Vladi:E dashura e diellit*


Seti Pezaku Vladi

E dashura e diellit*

(Marrë nga libri “Kuja e laureshës”).
Kjo poezi ka marrë çmimin e ekselencës në
Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rumani.

☆☆☆

Jam e sinqertë me ty,
Dielli im,
Edhe kur rrezja jote syrin ma picërron,
I zjarrtë je
Dhe kështu i ngrohtë më duhesh
Të më pushtosh ethshëm
Që herët në agim.

Jam e sinqertë me ty,
Dielli im,
Më i shtrenjti yll i gjithësisë,
Le të lemë një pikë takimi të dy,
Veç më ruaj,
Mos më djeg
Kur të puthem me ty!

Ngrohtësia jote më rrëshqet nëpër trup,
Rreth saj pjergull bëhem,
Rëra e mornicave më futet nën lëkurë
Edhe atëherë kur nis e më largon,
Pastaj zë e kthehesh në zambak të kuq,
Mbi përgjumjen e virgjër të detit
Ulesh e pushon.

Ngrohtësinë tënde ma lër peng
Deri nesër në agim
Dhe në mos ardhsh,
Retë e zeza rrugën ta kenë zënë,
Shaluar në kurriz të erës
Bregut qiellit do të ngjitem,
Në copëza t’i shqyej retë qorre të djersitura,
Përsëri ne të dy
Ngrohtësi e pjergull do të bëhemi.


About Post Author