Seti Pezaku Vladi:Jehonë krenarie


Seti Pezaku Vladi

(Kushtuar grave dhe vajzave shqiptare

në luftë për liri).

Ripostim

Sot te ju, larg e hedh vështrimin

Gjerdanin ngjeshur me bomba e fishek’,

Një trastë krahut me mallin e pragut

Mbi të brishtin sup të gjatin dyfek.

Përpjetën morët ku shkrepte liria,

Me lisat e rritët hijeshinë e shtatit,

Te trasta e mallit e hidhnit shikimin

Në pragjet e trëndafilta qytetit e fshatit.

Shkelët rrugë e zaje, si malet vargonit,

Ngjitët Dragobinë ku Baca zjarret ndizte,

Gjëmonte Kosova nga Idriz Seferët,

Mashkullores trime Çerçizi lart ju priste.

Bajrak Musineja, Makbulja, Persefoni,

Valë sizmike Margarita Tutulani,

Yje pas yjesh në malet vesh me krisma,

Shotat shqiptare barut e këngë vatani.

Yjet ndrisnin netët, flakët ndiznin strallin

Në tymnaja plumbash shqipja para printe,

Eh, ju vajzat tona, buste sheshmejdani

Kënga e shpirtit tuaj prej maja malesh vinte.

Kuq e zi Tirana, vesh me trëndafila

Zbritët qiell i ndezur si yje të zjarrta,

Gëzimi me lot thurur, atdheu i përkulur

Gjirin det e hapi për bronzet e arta.

About Post Author