Seti Pezaku Vladi:Kosova e Boletinëve


Seti Pezaku Vladi

Kosova e Boletinëve

(Nga libri “Hajdutja e natës”).

Në agun e ditës erëmuar me zymbyla

kur ditëlindja jote është vishur kuq e zi,

po fluturoj mbi këngën tënde, Kosovë.

Fytyrë rreshkura me zemër stralli

me një qiell natë ngarkuar mbi supe

ece një shekull me plagën fashuar,

një shekull elegji epike,

vullkan i këndellur!

Me lotin tënd, Kosovë

bluajtën mullinjtë e Evropës,

me gjakun tënd, Kosovë

trokiste gotat marrëzia.

Nëna jote,

lidhur këmbë e duar

rënkonte plagët e zemrës tënde.

Kur dhëmbët e bishës ashtit tu ngulën

vullkani dufit kraterin shpërtheu,

mbi malin e dhimbjes lëshove zënë:

Zgjohu Kosovë!

Të presin malet e Sharrit që janë tuat,

të pret Prizreni i derdhur mbi troje,

të pret Mitrovica xhamadan djegur,

Trepçja e Ujëmani, rrahje zemre,

e gjithë Kosova të pret Kosovë, se është e jotja!

askush s’i zapton ato veç teje,

se shterrojnë dy Drinat,

ndizen dy detet.

Dhe u ngrite Kosovë e boletinëve,

fidanishte e filizave lulëkuqe,

u shkulën dhe shqipet nga qemerët e kullave

dhe pushka tu bë top

dhe topi tu bë këngë lirie

për të cilën u dogje kometë.

@seti pezaku vladi

About Post Author