Seti Pezaku Vladi
Në ditëlindjen time

21 mars.
Erdha bashkë me ty,
ekuinoks i jetës.
Marramendja jote
i jep arratinë syrit, vrapit, gjumit!
Me ty, pranverë,
nis e buis afshi i jetës,
rizgjohen dashuritë e shekujve,
albumet hapin kanatet e mallit,
mjelmat puthen pa gardh në zeoopark.
Për ty, pranverë,
shkruajtën tymnajat e rrugës së gjatë…,
ndrisin galeritë e farfurimës tënde
hipotekuar në vargje, tinguj e ngjyra.
Dhe unë,
lastar i gjeneratave të kësaj udhe,
shkrova sot në retinën e syrit të ditës
fjalët:
Mirësevjen pranverë
të më zgjidhësh prangat e dimrit!