Seti Pezaku Vladi:Udhët tona!


UDHËT TONA
(Nga libri “Kuja e laureshës”).

Udhët tona!
Sa hapa të mi keni prit e përcjell,
Sa herë mbi ju jam rrëzuar
E gjunjët kam vrarë,
Kam shëtitur e vrapuar,
Sa herë si vala bregut
Puthje ju kam dhënë.

Hap mbi hapa udhët tona,
Udhëve të pagjumëta syçelura
Në pritje për tu takuar
Të përshëndesnim
Mëngjeset e ageve të bardha.

Udhët tona të trembura,
Të afërta e të largëta,
Me dashuri përcillnit
Cicërimat e zogjve,
Frymëmarrjet e lodhura
Drejt ekuacioneve.

Jeni arteriet tona,
Çentili që flakonte zemrat e palodhura,
Përherë të pandarë në një vrapim,
Në një garë.

Si akrepat e orës së qytetit
Që fluturojnë fushës së bardhë,
Ashtu fluturuam dhe ne me ju
Dorë për dore
Me hijet e mëngjeseve sapo zbardhura,
Me muzgjet e mbrëmjeve jargavane.

Përmes jush
Zbrisnin këmborët nga malet,
Malet në fusha,
Fushat në dete.
Të thjeshtat e të përloturat
Udhët tona
Pa barsolina e neone,
Me një gunë hedhur supesh
Lakoheshit së bashku me ne maleve!
Kur binit ju
Ngriheshim ne,
Kur binim ne
Na ngrinit ju
Buzëve tuaja,
Lapidare.

Bashkë djersitëm
Bashkë gëzuam,
Ngritëm auditore,
Bibliotekat pushtuam
Ku na prisnin mjekërbardhët e shkencave.

Si tufa pëllumbash
Ecëm në arteriet tuaja
Me tinguj yjesh në gojë
Duke kënduar refrenin tonë rinor,
‘Udhët na presin”.

Eeeh, ju udhë ëndrrash
Lagur e tharë në shi,
Përrenj të këngës së mallit,
Shpirti i së djeshmes,
Ejani të bëheni syri i së nesërmes,
Autostrada bu!

@seti pezaku vladi

About Post Author