VENECIA
Si Uliksi me mallin për Itakën
erdha tek ti, Venezia,
mbi sup të detit ulur.
Me tufa pëllumbash,
me valle maskash më prite.
Një ëndërr zgjuar fantazie,
një copëz qielli rënë mbi det
qëndisur
me perla vargjesh yjësie.
Një dallgë krifëbardhë
ngritur mbi det,
kapur bregut me spiranca,
pjergull puthur
me pesë kontinentet,
ardhur në faqet e përrallës
shekuj të hershëm.
Niagarë Adriatiku,
simfoni e brigjeve,
notat rrjedhur krojeve,
tingujt ndezur shtigjeve.
Poshtë urash
mbi supe valësh,
gondolat
mbledhin psherëtima dashurish,
sheshi “San Marko”
mbuluar me qiell pëllumbash,
me miliona shkrepje aparatesh
marrë si kujtime
në celebrime fatesh.
Me tyl trëndafilash
agimet kuqëlojnë,
habitë e shpirtit syve flasin,
ata që të panë
kurrë s’të harrojnë.
Si hëna flokëverdhë
derdhesh valëve
me kaçurrelat larë,
qielli nga lart të shkel syrin,
fik Yllin Polar.
Miliona dashuri
në krahë pëllumbash
tek ti zbresin,
miliona të tjerë do venë.
E pashë
parajsën e Beatriçes
ku
ëndërroj të jemë!
