Seti Pezaku Vladi:Vjeshtë e ngatërruar


Seti Pezaku Vladi

(Nga libri “Kuja e laureshës”)

Mahnitëse kjo stinë me fustanin e magjisë,

Gjethet përflakur me hënëza të mbledhura,

Horizonti hedh majash shallin e bardhësisë,

Pemët nga krahët shkundin këngë të ndezura!

Vendosa të pikturoja mbretëreshën stinore,

Të gdhendja syt’ e vjeshtës me qiell kuqëluar,

Me konture shpatesh e pyje verdhore,

Me sferën portokall të diellit praruar.

Ngjis shkallët e erës përhumbem në vegime,

Herë ngjyrosja malet, herë dimrin që ushtonte,

Velat e Uliksit mes dallgësh në lundrime,

Çirçja eklips jete në ishull kush kalonte.

Frynte mendimi fushës, ndrisnin vetëtima,

Vraponte në telajo si flokë bore binte,

Filli i krijimit fshihej në djerrina,

Mori arratinë në muzgun që nxinte.

Karvane resh’ ngarkuar litar shirash hodhën

Koloret e trishta stinët ngatërruan,

Stuhitë vërshuan nga korniza dolën

Bora dhe acari vjeshtën e mbuluan.

Stinë e bujarisë u kthye në rrebesh

Dora e peneli ngrinë mbi kavalet,

Ky peizazh ngatërruar zemërakull desh

Që të bëhej vjeshta pa dimër edhe det.

About Post Author