Shaban Murati:Përse nuk ka mësues të pasur?


Përse nuk ka mësues të pasur?

Një artist i njohur shqiptar, bashkëqytetari im, shumë i suksesshëm në skenat europiane dhe që jeton në Europë, shkruante për ndarjen nga jeta në Shqipëri të xhaxhait të tij mësues dhe theksonte me dhimbje ikjen e tij “thuajse në varfëri të plotë”. Artisti jepte konkluzionin tronditës se “kur një mësues “përfundon kështu”, diçka thelbësore moralisht shkon keq në atë vend”.Në vend që shteti t’u japë piedestalin e nderimit dhe të trajtimit mësuesve, nuk e di pse ka shqetësim vetëm të rrisë dhe të ruajë pasuritë e paligjëshme të prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Ky bazament i deformuar moral e ka çuar shoqërinë shqiptare në këtë disproporcion humbës. Shoqëritë e zhvilluara demokratike e kanë zbatuar me kohë atë, që thotë i famshmi Nelson Mandela se “arsimi është arma më e fuqishme, me të cilën ju mund të ndryshoni botën”. Natyrisht një shoqëri dhe një shtet i korruptuar, që nuk duan të ndryshojnë, i përcjellin mësuesit “thuajse në varfëri të plotë”.Kush duhet t’i përgjigjet pyetjes hamletiane apo migjeniane: Përse në Shqipëri nuk ka mësues të pasur, por ka prokurorë dhe gjyqtarë të pasur?Këtu fillon dhe mbaron morali dhe përmbajtja e shtetit dhe e shoqërisë.

About Post Author