Shamia e beqarit


Vaso Papaj

Shamia e beqarit ç’po digjet kësaj nate,
Dhëndër mbi karrike, flake flakën, flake.
Klarinetë e nxehur, nxehu dhe pëllëmbët,
Mos mba frena shoku, le t’na merren këmbët.

S’ka në botë t’i mbajë këta njëzetvjeçarët,
Në qendër shoqëria, rrotull kureshtarët.
Ëndërrojnë fejesat, jetojnë bashkëjetesat…
Kur puth vera ëndrrën, kalon tërë pengesat.

Xhelozohet hëna, s’don të zgjohet dielli.
Ndezur flakë Shtatori, ndrin nga yjet qielli.
Klarinetë e dehur, ç’na largon agimin,
Nga flakë e shamisë presim n’fund betimin.

Dhe me lotë gëzimi mbulohen dasmorët.
Na u shtofshin dasmat! S’mbarohen shtatorët.
Nusen e ngrejmë lart. Dhëndër kujdes ndukjen!
E kërkojmë njëzëri: puthjen, puthjen, puthjen!

About Post Author