Sharl Bodler-Vdekja e varfanjakëve-Përktheu: Gëzim Baruti


Nga poeti i famshëm Sharl Bodler, që kundrohet si themelues i shkollës së poezisë moderne në Francë( vitet 1850 – 1860) po postoj poezinë e mëposhtme, përkthyer prej meje.

Vdekja e varfanjakëve

Ësht` vdekja që ngushëllon e që bën të jetojmë;

Ësht` qëllimi i jetës, ësht` e vetmja shpresë e mund*

Që, si një pije magjike na deh, na lartëson,

Dhe që na jep guximin t`ia dalim gjer në fund;

Furtunës mespërmes, dëborës edhe llohës,

Është drita që dridhet në t`ardhmen tonë t`gjymtuar;

Është hani me nam i listuar prej kohësh,

Ku mundet të darkojmë e të flem` pa u zgjuar;

Është një ëngjëll që mban ndër gishtat manjetikë

Gjumin edhe dhuntinë e ëndërrimit magjik,

E që shtratin ju ribën të varfërve të mjerë;

Ësht` lavdi perëndish, ësht` hambari mistik,

Ësht` qesja e mjeranit, atdheu i tij antik,

Ësht` një portë e hapur drejt ca qiejsh të tjerë!

*mund – (mundësi në këtë rast)