Pjesa e dytë
Takime të nxehta pas mësimit
Federikoja kishte ditë që ishte shumë i shqetësuar. Ndryshimet e papritura të së shoqes e kishin çoroditur fare. Nuk ishte në gjendje t’i shpjegonte. Vriste mendjen se ç’po ndodhte me të. Dy-tri herë në javë vinte më vonë në shtëpi dhe linte pas dore detyrimet familjare. Nuk gatuante si më parë. Interesohej pak për fëmijët. Një ditë nuk duroi dot më dhe shpërtheu:
– Si është e mundur që organizon kaq shumë ekskursione me nxënësit?! Kur do të mbarojnë këto dreq ekskursionesh?! Kush do të kujdeset për fëmijët?! Kush do t’i lajë dhe hekurosë?!
– Le t’i bëjnë vetë, – iu ktheu Tereza.
– Ashtu?! T’i bëjnë vetë! Po nuk e kupton që janë ende të vegjël dhe kanë nevojë për ndihmën tënde si nënë?
– Mos u bëj merak, nuk janë aq të vegjël sa mendon ti, – ia ktheu ajo me një nënqeshje ironike.
Atij i iku truri. U nevrikos shumë. Rrëmbeu xhupin te mbajtësja. Doli me të shpejtë jashtë, duke sharë e shfryrë pa pushim.
“Nuk po kuptoj asgjë! Ç’t’i ketë ndodhur vallë? Ka ndryshuar qind për qind. Nuk po e njoh më!”, thoshte me vete tek ecte rrugëve të qytetit. I lindi një dyshim. “Me siguri do të ketë zënë dashnor! – tha përsëri me vete tek sillte ndër mend se kohët e fundit e shtynte me dorë kur ai kërkonte të bënte dashuri me të. – Sigurisht që e bën me dashnorin. Si ta zbuloj? Çfarë duhet të bëj që ta kap me presh në duar?”, pyeti veten. Ky mendim iu ngul si thikë në zemër. Iu duk vetja si një plak i moçëm që e ka lënë mendja dhe flet me vete. Tundi kokën në shenjë dëshpërimi. Pas disa metrash i mbajti hapat pranë një lokali. Hyri brenda. Shkoi te banaku. Porositi një gotë me verë frizante. E ktheu menjëherë si të kthente një gotë me ujë të ftohtë në një ditë të nxehtë vere. Porositi edhe një tjetër. E mori dhe u ul në një tavolinë bosh. Tek rrinte ulur me sytë ngulur te gota e verës, i erdhi një mendim. I mbeti i ngulur aty.
* * *
Luixhi ndodhej brenda në makinën e tij. Në duar mbante gazetën “Republika”. Lexonte dy-tre rreshta dhe sytë i hidhte te dera e shkollës. Ora kishte kaluar 14:00. Pothuaj të gjithë nxënësit kishin dalë. Priste që të dilte Tereza. Rreth orës 14 e 15 minuta ajo doli. E pa kur po zbriste shkallët e jashtme të shkollës. Dukej e shpenguar tek ecte duke kthyer kokën sa majtas-djathtas. U drejtua për te makina e saj në parking. Ai e hodhi gazetën në sediljen në krah. Vuri syzet e errëta dhe ndezi makinën. Priti disa çaste sa u nis ajo. Iu vu pas. E ndiqte në largësi, pa i rënë në sy. Pas afro një kilometri Tereza ndaloi makinën në anë të rrugës. Në të hipën tre djem të rinj. Nuk pati kohë të frenonte. E parakaloi. Nga pasqyra e brendshme ndiqte lëvizjet e saj. E uli shpejtësinë dhe e la ta parakalonte. Nuk e lejoi t’i largohej shumë. Pas afro pesëmbëdhjetë minutash arritën në fshat. Luixhi e ndaloi makinën pranë një ndërtese dykatëshe me vende parkimi. Disa sekonda para tij kishte mbërritur Tereza me djemtë e shkollës. Ata hynë në një nga hyrjet e ndërtesës. Luixhi i ndiqte nga një largësi prej afro tridhjetë metrash. Ishte ora 14 e 35 minuta. E mbajti shënim. Në orën 17:00 Tereza doli. Bashkë me të ishte edhe një grua tjetër, pak më e re në moshë. Pas tyre dolën gjashtë djem. Kishin hedhur krahëve çantat e shkollës. Ishin të shpenguar. Qeshnin. Dukeshin të gëzuar. Menjëherë hipën në dy makinat dhe u nisën. Ai i ndoqi pas. Të dyja makinat ndaluan në vendin ku Tereza kishte marrë më parë tre nxënësit e saj, por nga krahu tjetër i rrugës.
Kjo skenë u përsërit edhe herë të tjera. Të njëjtat veprime dhe po i njëjti orar. Luixhi ishte i bindur për atë që po ndodhte brenda atyre mureve. Përvoja dhe nuhatja nuk e gabonin. Duhej të ishte njëqind për qind i bindur për atë që do të raportonte. Vendosi të takonte pronarin e shtëpisë. Një shumë e majme me euro do të vinte në zbatim planin e tij.
* * *
Luixhi çmontoi “çimkat”. Ia dorëzoi Mikelit, shefit të tij të agjencisë “Hija”. Tek shihnin filmimet, panë njëri-tjetrin në sy. Mbetën të shtangur. Një regjisor me përvojë i filmave hard do t’i kishte pasur zili këto dy femra. Veç aftësive si mësuese në histori dhe matematikë, nuk mbeteshin pas edhe në seksologji. Habia e tyre i kalonte parashikimet. Nuk ishte hera e parë që merreshin me atë punë. Filmimet e mësueseve me gjashtë nxënësit ishin diçka e paparë për ta. Një orgji e përkryer.
– Kemi një problem në këtë rast, – tha Mikeli.
– Çfarë problemi? – pyeti Luixhi.
– Nuk mund t’ia tregojmë filmimet burrit të Terezës. Pamjet janë skandaloze dhe besoj se do të tronditej shumë.
– Çfarë të bëjmë, atëherë? Si t’ia themi që të bindet? – pyeti Luixhi, i cili nisi të vriste mendjen se cila do të ishte mënyra më e mirë për t’i treguar të vërtetën, me qëllim që të mos lëndohej së tepërmi.
– Nuk është e vështirë për ta bindur. Faktet janë të shumta. Mendoj se duhet të marrim një psikolog për Federikon. Duhet të jetë ai që ta përgatisë nga ana morale dhe psikologjike. Ndoshta edhe neve na e bën më të lehtë punën.
– Ke të drejtë. Në të tilla raste viktima mund të bëhet i papërmbajtshëm dhe nuk dihet sesi mund të reagojë e të veprojë. Rreziku është i madh.
Ashtu u bë. Vendosën të merrnin një psikolog.
* * *
Shkolla ziente. Skandali i dy mësueseve të shkollës ishte marrë vesh në të gjithë qytetin. U mblodh këshilli pedagogjik i shkollës. Ishin të ftuar përfaqësues të prindërve. Nga Ministria e Arsimit kishte ardhur një inspektore. Drejtoresha e shkollës foli me tone të ashpra si mësuese, si grua dhe si nënë. E cilësoi veprimin e tyre mjaft të ulët dhe jashtë çdo norme morale dhe edukative.
– Kërkoj pushimin e tyre nga puna si mësuese! – qenë fjalët përmbyllëse të drejtoreshës. Ishte bërë flakë e kuqe nga ajo ngjarje e padëgjuar ndonjëherë.
Folën edhe mësues të tjerë. Të gjithë e dënuan veprimin e tyre. Në fund e mori fjalën inspektorja e arsimit, një mesogrua.
– Edhe unë e dënoj aktin e turpshëm dhe të pandodhur më parë në shkollat e këtij qyteti. Bashkohem plotësisht me zemërimin tuaj. Nuk i heq asnjë presje asaj që tha zonja drejtoreshë. Megjithatë, unë do të shtoja diçka tjetër. Dikujt nga ju mund të mos i pëlqejë.
Si tha këto fjalë, ajo bëri një pushim. Hodhi sytë nëpër sallë për të parë reagimin e tyre. Të gjithë mbajtën frymën. Sytë e tyre u ngulën mbi të. Heshtja në sallë u bë më e thellë. Inspektorja nisi të fliste përsëri:
– Dikush nga ju kërkoi që mësueset t’i jepeshin drejtësisë, pra të arrestohen. Kjo nuk është e mundur. Të dyja palët e akuzuara, pra si mësueset, ashtu edhe nxënësit, janë në moshë madhore, të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm për aktin e kryer. Vendimi më i drejtë është pushimi nga puna. Ne si Ministri do të marrim këtë vendim, por edhe këtu ka një problem burokratik, që ndodh vetëm këtu në Itali.
U dëgjua një mërmërimë nga salla dhe disa zëra të pakënaqur. Ajo vazhdoi më tej:
– Shqyrtimi i kësaj çështjeje zgjat për një kohë shumë të gjatë. Derisa të merret vendimi përfundimtar, të dyja mësueset pezullohen përkohësisht. Këtë masë do ta parashtroj në Ministri, por mund të ketë edhe një masë tjetër ndaj tyre: të transferohen. Transferimi mund të jetë brenda në qytet nga njëra shkollë në një tjetër ose në provincat e qytetit. Faji i tyre është se vunë në zbatim ëndrrën e ndaluar të gjimnazistëve të të gjithë brezave. Nuk jemi të sigurt nëse takimet e tyre kanë ndikuar në mbarëvajtjen dhe rendimentin e tyre në mësime, – tha inspektorja duke e mbyllur diskutimin e saj.
Salla gumëzhiu. Ankesa të ndryshme iu drejtuan inspektores.
– Kjo që ka ndodhur është e tmerrshme! – tha një prind i zemëruar në kulm.
– Shkolla, në vend që t’i mësojë dhe t’i edukojë fëmijët tanë, po i çon drejt degjenerimit moral dhe shoqëror. Çfarë transferimi thoni ju?! Pushimi apo pezullimi nga puna nuk është asgjë. Ato kurvat – më falni për shprehjen – duhet të përfundojnë në burg, që të zënë mend të tjerët, – tha një prind tjetër.
Zërat sa vinin e bëheshin më të fortë. Dëgjoheshin sharje dhe ofendime në drejtim të mësueseve. Situata po dilte jashtë kontrollit. Me vështirësi, drejtoresha mundi të vinte qetësinë në sallën e nervozuar. U ngrit përsëri inspektorja. Shprehu keqardhjen e saj dhe duke u shtuar një fije ironie fjalëve të saj, e mbylli diskutimin:
– Edhe unë kështu si ju mendoj, por këto janë ligjet në Italinë tonë të dashur.
Fund