Shkretëtirë vlerash-Agon Halabaku


Shkretëtirë vlerash

Hijen e vlerave të zbrazëta përqafoj,

thithur nga turma që rrokulliset poshtë,

ku dogma dhe shpresa

bëjnë paqe në vargje të ngrira.

Përqafoj kornizën e ngushtë

të unitetit,

që gdhend fytyra pa ngjyra,

ku pështjellimet e hirit ngrihen si flamuj

dhe premtimet shuhen në heshtje.

Kërkoj një thirrje të heshtur

në këtë erë që i përshtatet turmës,

aty ku mendimi i lirë rri pezull,

e fijet e ëndrrave të mbyllura në dhembje.

Në kopshtin e trishtimit

mbijeton një zog pa krahë,

që guximi e liria e mbajnë mbi tokë,

ndërsa qelqi i ftohtë e mëson të mos flasë.

Një frymë më zgjon nga puthja e tokës,

aty ku nguliten statujat e sheshta,

ndërsa uni i qetë, i vetëm,

gjurmon vezullimin në fjalë të pashprehura.

Çdo shpresë që zë frymë

në këtë botë të veshur me pluhur,

i falet lirisë së heshtur,

dhe mbjell rrënjë në paqen e rikthyer.

Vetëm në dritën e zbehtë,

në hijet e fundmbrëmjes,

i gjej vlerat e çmuara,

t’a shkund pluhurin,

dhe bëhem unë, një botë e bashkuar me vetveten.