Shkruaj falas-Berzat Sadiki


Berzat Sadiki

Unë vetëm shkruaj.

Shkruaj për vete.

Sipas qejfit tim.

Shkruaj që të përfitoj,

ta shpaguaj qenien time,

sepse unë jam vetëm krijesë.

Krijesë me dobësi.

Me gabime.

Jetës ia përgatis llogarinë.

Mbjell mirësi.

Mbjell për brezat e ardhshëm.

Ata do ta korrin.

Do ta vjelin.

Mundi im te unë

në përjetësi do të vijë i begatë.

Nuk shkruaj për emër,

as për para,

as se jam i çmendur.

Nuk shkruaj për çmime,

as për lëvdata,

shkruaj falas.

Kjo botë,

këta njerëz me të cilët jetoj,

nuk do të më njohin,

mbase nuk kanë aftësi mjaftueshëm.

Shkruaj sipas qejfit tim.

Ashtu si di më mirë, drejtësisht.

Shkruaj poezi, letërsi.

Lexoj në disa gjuhë.

Shkruaj në disa gjuhë.

Gjuha amtare, shqipe e kthjellët,

e dashur,

e këndshme,

e ëmbël.