Shkule trenin tënd-Vaso Papaj


Unë njoh poetë, që edhe malet i lëvizin,

Ndaj symbyllur si ata dhe ti ëndërro!

Ёndrrat kur puth hënën, mos të të habisin,

S’ka gjë që s’arrihet, këtë mos e harro!

Ndaj fort përpiqu ta mbrosh dashurinë

Dhe mos hiq dorë sado të kesh pengesa!

Në zemër atë fshihe si zog që po mërdhin,

Po kurrsesi një ditë ta bjerrësh nga kujtesa!

E në çdo rast shtrëngoje grushtin fort,

Me ëndrrën tënde përballu gjer në fund,

Po kurrë atë grusht mos e lësho më kot,

E s’do të ketë njeri në botë që të të mund!

Ëndërro një herë, dy, tri, pafund djalosh

E mos ndrysho asgjë nga ç’ke ëndërruar.

Gjer dhe në gjumë mos ler të keqen të të josh,

Ndaj shkule trenin tënd, stacioneve ndaluarl

Nëse do vijë një ditë e ëndrrat nuk të dalin,

Vrapo tek dashuria, krahapur si avion!

Provo ta ledhatosh dhe ëmbël puthja ballin

Se buza si qershi e saj nga etja të shpëton.

Më të madhe pasuri, kjo botë s’ka patur kurrë

Se kjo vogëlushja jonë, që ne e quajmë jetë.

Po ia kaplove muret, do të marrësh tjetër nur,

Do të njohësh ti atëherë, ç’është jeta e vërtetë.

Ëndërro djalosh, ëndërro kohëra magjike

Se ditëve që do t’vijnë, do t’vijë dhe dashuria

Po netëve ndalu pak, urrejtjen rrotull fike

Do të jesh atëherë njeri në poezitë e mia.

E mos u ndal djalosh, ëndërro sa je i ri,

Diçka mbi skrivani kam shkruar në një letër.

Të them, vetëm një varg mungon n’ atë poezi,

Atje vër zemrën tënde, mos pyet asnjë tjetër!