Shpirti i malluar i tim ati!Kristaq Turtulli


-Dhorthi nuk mban mend asgjë, e ka zënë skleroza: – më tha Bobi, kushëriri im i parë te dera e shtëpisë së saj.

Ishte viti 2005, shkoja për herë të parë në Amerikë, për të vënë në vend amanetin e tim ati, para se të mbyllte sytë; të vija një tufë me lule në varrin e të motrës së tij shumë të dashur, Margaritës. Gjithashtu të njihja dhe takoja nipërit dhe mbesat e tim ati, lindur, rritur dhe moshuar në Amerikë.

Dy motrat dhe vëllain, Llambin, që prej vitit 1935 kur ikën në Amerikë, im atë nuk i takoi dhe dëgjoi zërin kurrë, deri sa mbylli sytë më 1976. Dihet për shkak të politikës, rrethimit dhe persekutimit komunist.

Sa hyra në dhomë, plaka Dhorthi, që nuk më kish parë kurrë më parë, më këqyri ngulët dhe klithi nga habia:

-Ua, sa i ngjan xhaxha Llambit!

-Është djali i Petraqit prej Shqipërie, – i tha Bobi.

– Ah!- Rënkoi ajo e drithëruar dhe u turr drejt meje. Më përqafoi dhe më puthi në ballë.

Kur u larguam Bobi më tha:

-Çuditërisht Dhorthit i erdhi kujtesa!

-Sigurisht,- i thashë:- Këtu në Amerikë, erdhi shpirti i malluar i tim ati!

Kristaq@Turtulli