“Shpresa”- Adelina Mina

Ti, shpresë, jeta ime, llambë dashurie,

Që digjet thellë në mua,

pa lot, pa etje,

vetëm me frymë.

E ushqej kohën me sytë e mi margaritarë,

Me duart e mia, stafeta e fitores në ringritje,

Me zemrën time, me gjithë qenien time

Sa jam gjallë.

Je ora ime pa kohë,

Rrjedh damarëve si dritë,

Kur mbyll sytë, ti je pas qepallave,

Shkëndijë që refuzon terrin.

Çdo plagë që mbyllet, mban emrin tënd.

Në heshtjen time, ti je zëri i fundit që s’tretet,

Që pret, pret…

Të mbaj si fllad në shpirtin e lodhur,

Në netët pa yje, je drita që më udhëheq.

Në heshtjen e dhimbjes, ti flet me qetësi,

Si këngë e lashtë, në gjuhën e gjakut tim.

Ti nuk bërtet.

Ti frymon në ditët në agim.

Kur qiellit pikojnë rrëfime të lodhura,

Ti i mbledh,

E më thua: Do kalojë.

Je dora që s’më lëshon,

Rrënja që më mban në tokë.

Kur era më rrëmben, ti më kthen,

Kur bota më harron, ti më kujton.

Jetoj me ty, fashitur,

Të kam rrënjë në kraharor.

Jetën time ngjyruar e mban gjallë.

Adelina Mina

2025.07.18

@COPYRIGHTRESERVED