Shqipëriet e lirisë të Pogradecit-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

LANÇ-i e ngriti për herë të parë gruan shqiptare në piedestalin e historisë

Historia jonë kombëtare gjatë shekujve të rëndë të robërisë është e mbushur përplot shembuj të heroizmit të femrës shqiptare. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike për lirinë e atdheut është shumë i rëndësishëm, për të cilin ka se çka të shkruhet dhe të flitet. Prandaj, është fakt i pamohueshëm se femra shqiptare zë një vend të rëndësishëm në historinë kombëtare të popullit tonë, duke filluar që nga periudha ilire e këndej. Atdhetarizmi i njohur i gruas shqiptare, cilësitë e rralla morale të saj, morën një përmbajtje të re dhe u shfaqën me forcë në ato gra e vajza të popullit që ngjeshën amët dhe luftuan krah për krah me burrat gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pjesëmarrja e gruas në LANÇ ishte një nga risitë më të mëdha të asaj epopeje. Në radhët e Ushtrisë NAÇ u rreshtuan rreth 6.000 gra e vajza. Ato dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftë kundër nazifashizmit, por edhe kundër pengesave e bestynive shekullore. Një kontribut të madh dhanë dhe treguan edhe gratë pogradecare të cilat shfaqën aftësi të rralla organizimi, drejtimi dhe morale. Aktet e trimërisë dhe heroizmit të grave e vajzave gjatë LANÇ, të përleshjeve me armiqtë janë të panumërta, midis tyre ranë në fushën e nderit dhe të trimërisë pesë shqipërie pogradecare. Ato janë:

U dogj bashkë me shtëpinë

Pulherie Petraq Kole ka lindur më 1898 në fshatin Voskopojë të rrethit të Korçës, dhe ishte martuar në Pogradec me Kristaq Kole. Ajo ishte veprimtare e Lëvizjen Nacionalçlirimtare nga fillimi i vitit 1943. Shtëpia e saj e bëri bazë të rëndësishme të luftës ilegale në qytetin e Pogredecit. Forcat gjermano-balliste më datën 20 tetor 1943 e sulmuan këtë shtëpi dhe i vunë zjarrin. Brenda në shtëpi ndodhej Pulheria me vjerrën. Në përleshje me zjarin e forcat armike për jetë a vdekje, gjermanët e vranë dhe e dogjën në zjarrin e shtëpisë. Në shtëpinë e saj është vendosur plakë përkujtimore. Është shpallur dëshmore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i është njohur statusi “Dëshmor i Atdheut” me vendimin nr. 52 datë 10.04.2005 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”. Varri i tij gjendet në varrezat e dëshmorëve të Bashkisë Pogradec. Nga shkrimtari Resul Bedo është shkruar në librin “Yje të pashuar”, vëll. XVII, në Tiranë në vitin 2007.

Aktiviste e gruas antifashiste dhe infermiere partizane

Liri Andon Çomo lindi më 20 prill 1914 në qytetin e Pogradecit, në një familje të varfër qytetare. Babai i saj Andon ka qenë baçevan që mezi siguronte kafshatën e bukës. Shumë shpejt Liria mbeti jetime. Ajo nisi të ndihmojë nënën, që lante rrobat nëpër shtëpitë e të pasurve, bënte çorape dhe fanella për të tjerë. Në ditët e para të pushtimit Liria ishte përkrah të rinjve pogradecarë që demostronin dhe kërkonin armë për mbrojtjen e atdheut. Fillimi i luftës së armatosur e gjeti aktiviste të gruas antifashiste në fillim të vitit 1942. Shpërndante trakte, mblidhte ndihma për çetën e Mokrës. Shtëpia e saj bëhet bazë e Luftës Nacionalçlirimtare. Kështu ajo punon përsëri çorape e fanella, por jo për një pagë të ulët, por për shokët partizanë. Dhe, kur qëndrimi i saj në Pogradec u bë i pamundur, ajo shkoi partizane në batalionin partizan të Mokrës, në prill të vitit 1943 dhe më pas partizane infermiere në Brigadën IV Sulmuese. Në radhët e partizanëve të rinj, ajo dukej si grua e pjekur motër me përvojë. Prandaj shumë prej tyre e thërrisnin nënë, të tjerët motër. Në batalionin e Mokrës ajo kryente detyrën e infermieres. Në kohën e lirë arnonte rrobat e partizanëve. Pas marshimeve të gjata, ajo vinte tërë kujdesin dhe ndjenjat e saj të ngrohta për partizanët që ishin plagosur ose sëmurë. Dhe zemra e saj u sillte atyre dashurinë e nënave, të motrave dhe të grave. Në zemrën e saj kishte bërë fole dashuria dhe dhëmshuria për të gjithë. Ra më 13 janar 1944 në fshatin Dushar të rrethit të Korçës duke qenë me një grup partizanë të plagosur. Ajo ishte në krye të kolonës të plagosurve, kapet nga forcat gjermano-balliste. Mbi trupin e saj ata provuan të gjitha llojet e torturave. I hoqën dhe dhëmbët. Por ajo nuk nxori asnjë fjalë. I përshtyu në fytyrë dhe, para pushkatimit nuk pranoi të mbyllte sytë. Është shpallur Dëshmore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me vendim nr. 76, datë 02.12.2970 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Pogradec. Varri i saj gjendet në varrezat e dëshmorëve të Bashkisë Pogradec. Për jetën dhe veprën e saj është shkruar në librin “Yje të pashuar”, vëll. III, Tiranë në vitin 1976. Në vazhdimësi është shkruar në shtypin e kohës.

Nënë e bij, u flijuan për lirinë e Atdheut

Meriko Halit Selmanllari ka lindur në fshatin Derdushë të rrethit të Pogradecit më 1902, në një familje të varfër fshatare. Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare në vitin 1943 në fshatin Delancë. Ka qenë anëtare dhe aktiviste e organizatës së gruas Antifashiste të fshatit, strehonte partizanët, shpërndante trakte, furnizonte partizanët me ushqime e veshmbathje. Ngjarja e ndodhur në kulmin e operacionit armik të Qershorit të vitit 1944, nuk është rastësore dhe as fati i dy luftëtarëve të lirisë. Akti i tyre është diçka më madhështor dhe i denjë për gruan shqiptare. Familja Selmanllari dhe fshati Dolanec ishin të lidhur ngushtë me luftën. Të dyja, nënë e bijë ishin aktiviste të njohura në zonën e Gorës, ato ishin shquar si luftëtare dhe punonin në çdo kohë dukshëm në favor të Lëvizjes Antifashiste. Ballistët e dinin dhe i kishin informuar kolegët e tyre gjermanë se në shtëpinë e familjes Selmanllari, që ishte bazë e luftës, aty do të gjenin gjurmët e aktivitetit të tyre dhe të lëvizjes. Ato u sakrifikuan duke u bërë barikadë dhe nuk lejuan që pushtuesi të shkelte pragun e kullës së tyre. Është shpallur dëshmore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me vendim nr. 131 datë 16.09.1983 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Pogradecit. Varri i saj gjendet në varrezat e dëshmorëve të Bashkisë Pogradec. Për jetën dhe aktin heroik të saj është shkruar në librin “Gora patriotike” të autorëve Selami Kreka dhe Syrja Jahollari, si dhe në librin “Yje të pashuar” vëllim XX, të autorit Resul Bedo, në Tiranë, 2010.

Shqipërie Bektash Selmanllari lindi në vitin 1926 në fshatin Dolanec të rrethit të Pogradecit. Shtëpia e Selmanllarëve u bë bazë e veprimtarisë së gruas antifashiste. Kontribut ka dhënë dhe vajza 18 vjeçare, që kishte emrin e atdheut, Shqipërie. E ndodhur me vajzën në shtëpi, nëna u mendua gjatë, gjykoi dhe mori një vendim… Ajo nuk kishte rrugë tjetër veç t’u kundërvihej armiqve me armët që kishte. Nëna dhe e bija kishin zënë pozicion me sopatë në dorë për të goditur… dhe ushtari gjermani i parë që hodhi këmbën për të hyrë në kullë, Meriko, i lëshoi sopatën në kokë. Ai ra për tokë e nuk pati kohë të heqë këmbëzën e shkrepjes…Këtë gjë bëri dhe Shqipëria, por gjermani pas tij, me një breshëri sharrësi i rrëzoi të dyja nënë e bijë për tokë. Shqipërie Bektash Selmanllari është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 131, datë 16 shtator 1983 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Pogradecit. Për jetën dhe aktin heroik të tyre është shkruar në librin “Gora patriotike” të autorëve Selami Kreka dhe Syrja Jahollari, si dhe në librin “Yje të pashuar” vëllim XX, të autorit Resul Bedo.

Tomka që priste lirinë fytyrëqeshur

Thomaidha Kristo Laçka ka lindur në Pogradec më 20 prill 1928. Ajo është thirur shkurt “Tomka”. Kishte mbaruar shkollën fillore, pastaj si gjithë vajzat e shtresës së saj, u bë shtëpiake. Ishte shumë e re kur u aktivizua në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. U lidh ngushtë me rininë antifashiste dhe më vonë me rininë komuniste, u bë aktiviste e shquar dhe në mjaft raste kreu dhe detyrën e korrieres në qytet. Kishte sy të qeshur, dukej si fëmijë, por kishte zemër të fortë, shpirt të madh e luftarak Tomka. Shikonte prindërit që punonin për të goditur armikun, shikonte luftëtarët e lirisë që hynin e delnin fshehurasi nga armiqtë në shtëpinë e saj, i dëgjonte tek bisedonin për demokracinë, për një Shqipëri të lirë, i dukeshin fjalë të çuditshme dhe thellë, në zemrën e saj ndjente një shtytje që i thosh vetes: “Edhe ti duhet të punosh për këtë lëvizje”. E shihnje tek bënte sikur lozte në rrugë dhe përgjonte lëvizjet e armiqve, se shokët brenda në dhomë duhej të ishin të sigurtë, duheshin mbrojtur. Kështu herë duke lozur e herë duke rendur pas shoqeve moshatare lehtësonte lëvizjet e shokëve ilegalë, që kalonin nga njëra shtëpi në tjetrën e ngjiteshin malit përpjetë. Kështu e filloi Tomka rrugën dhe jetën si revolucionare, ishte fillimi i vitit 1942. E fortë dhe e patrembur, në ditë të vështira të luftës së Pojskës, Tomka e papërtuar shkonte disa here në ditë në shtëpinë e përgjegjses së saj për të marrë lajme dhe detyrat që do të kryente. Një herë i thanë: -Tomkë, të jesh gati herët në mëngjes se do të shpiem materiale dhe armë në çetë. Dhe Tomka gjithë gëzim i ishte përgjigjur: -Do të gjendem në vend para shoqeve! Kur kishte të tilla detyra për të kryer, Tomkën e vogël as që e zinte gjumi… Në maj 1944, ajo u gjend në formacionin e batalionit të Mokrës, partizane e vogël, gojëëmbël, që kishte nisur rrugën e revolucionit… Ishte një vajzë e re dhe s’të mbushej mendja, se ishte pikërisht ajo që u mësonte shoqeve të saj të shkruanin e të këndonin, apo t’i bindte me fjalët e saj të rejat që të shkonin në batalionin partizan. Kështu veproi kur ishte partizne në batalionin “Reshit Çollaku, kështu veproi dhe në radhët e batalionit tretë të Brigadës XV Sulmuese. Rrinte e bisedonte me partizanët dhe kërkonte të mësonte prej tyre se ç’duhej t’u thoshte grave e vajzave të fshatare, kur të kalonte netët në baza të ndryshme. Ajo kryente detyrën e komandantes të skuadrës dhe të infermieres. Shokët shpesh i thoshnin: -Tomkë, ki kujdes. Je e gjatë dhe plumbi i armikut të kap më shpejt. Por ajo, ashtu me sy të qeshur, përgjigjej: -Dimë më mirë të godasin në shenjë partizanët… Në sulme, përpara. Dhe ecte përpara e pa trembur. E kush nuk e njohu partizanen e vogël e trime në ato vite të lavdishme! Ajo u bë e njohur deri në fshatrat më të thella të Mokrës. Tomka u dallua në një sërë aksionesh. I paharruar ka mbetur në kujtesë të shokëve aksioni i Xhyrës. Detyra në këtë aksion ishte që të dëmtohej një autokolonë gjermane e të mos lejohej të kalonte asnjë çap përpara. Tomka, si gjithnjë edhe në këtë përpjekje, u hodh në sulm dhe me thirrjen e saj luftarake: “Para, shokë partizanë!”. Duke kaluar nga aksioni në aksion, nga përpjekja në përpjekje çelnikosej trimëria tek partizanët, çelnikesej kjo trimëri edhe tek Tomka e re. Ajo, ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe kur ra në përpjekje me armikun në Prapanik të Elbasanit. Në vijën e parë, përkrah shokëve, luftonte dhe Tomka. Ishte data 25 tetor 1944. Lufta u bë e rreptë dhe zëri i Tomkës vazhdonte si gjithmonë të ngrihej kudo i pastër, i kthjellët, i fuqishëm. Por pas betejës u vu re se jehona e zërit të saj që jepte zemër shokëve të saj partizanë, gjëmonte ende, por Tomkën e kishte marrë plumbi. Ajo është shpallur Dëshmore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me vendim të Komitetit Eksekutiv Pogradec nr. 76, datë 02.12.1970 dhe i është njohur statusi “Dëshmore e Atdheut”. Varri i tij gjendet në varrezat e dëshmorëve të Bashkisë Pogradec.