SHTATË PALË NURE


Zyba Hysa/

SHTATË PALË NURE

Unë dhe natyra… kemi një natyrë…
Mistershëm marrim shtatë palë nure,
Se njëra – tjetrës i ngjajmë në fytyrë,
Pa kremra suvaje, pa bardhësi pudre…

Pranverës flladi e gudulis ëmbël,
Ashtu embel sic më drithëron Ti…
Nuri q’marrim ngjan me nj’ëndërr,
Kur dy t’dashuruar bëjnë dashuri…!

Kur dielli kuqëlon… si saç i nxehtë,
Kur mbi lakror e vemë për ta pjekur,
Zjejmë, ethërojmë q’të dyja bashkë,
Ajo nga vapa… unë nga malli djegur…

Kur qielli ballin rrudh e shkrepin rrufe,
Vjeshtë me shtatë ngjyra vishem unë,
Prej fjalëve të thëna, sikur vijnë rrëke,
Nga shpatet e maleve zbrazur në lumë!

Brenda një stine, çdo stinë përsëritet,
Çelim, lulëzojmë… gjethet, në fluturim,
Kur duket… se nuri sa vjen e venitet…
Prapë mistershëm, kthyer në bulëzim!

Unë dhe Natyra… kemi një natyrë,
Mistershëm marrim shtatë palë nure,
Se njëra – tjetërs i ngjajmë në fytyrë
Pa kremra suvaje, pa bardhësi pudre…

/ Zyba Hysa/ 2 shtator 

About Post Author