SHTEGUT T’LIRISË
(Migjeniane)
Për fatkobin tuaj po vdes!
S’më shëron mua spitali.
Shnetin tem e mba lumtunia e juej.
Jo, jo!
Ju s’më keni faj, o të dashnit e mi!
Unë po vritem prej maleve,
nga bjeshkët që m’pengojnë
me e shpërnda lirinë mes jush.
Besoj se vjen dita
e ky grusht i jem i vogël
bahet diell i juej fatlum.
Besoj se do të lind ai agim
nga do të shndrisin vegimet e mia.
Unë po vdes, o popull!
Po vdes me diellin e lirisë në krahnuer.
Kurse juve po ua la amanet
Poemën teme.
Ta këndoni!
Në të do t’i keni shtigjet e lirisë.
Në të e do ta keni dritaren
nga do të shihni pak’ dritë,
nga do ta shihni se sa e madhe,
sa e pasur,
sa e bukur
e sa e dashtun asht’ Shqipnia.
