Lulëzime Malaj
Shtëpiza pranë liqenit...
A të kujtohet motër, shtëpiza jonë e ngrohtë?!
Ku në liqen, hidhte petalet e luleve molla?!
Sa herë kërcisnin dhogat ti qeshje me lot,
Në ato shkallët e drunjta, që i hante mola!
Dritat për së largu, që ngjanin si xixëllonja,
Tjegullat e thyera kujtoj si për çudi,
Ëndrrave fëmijëria vjen e më përqafon,
Me sytë e pafajshëm këmbëkryq ulet rri!
A të kujtohet motër kur liqenit lëshonim,
Varka letre, t’i çonim udhëtimit larg?!
Me ëndrra të bukura plot i ngarkonim,
Ujërave pa rrudha lundronin varg e varg…
Mall për lodrat e drunjta, për kukullën qeros’,
Xhepat e fustanit mbushur manaferra,
Erëmonte oborri nga ato lulet rozë..
Kur gërshetit të lidhja kordelen përhera.
Atë derën e drunjtë që hapej me gërvimë,
Dhe me gërvimë mbyllej përsëri,
Zërat e prindërve, dhomës sikur kumbojnë,
Në krah engjujsh ikën në fluturim…
Nga malli mërguar nisa t’i hedh në letër,
Ka kohë që djeg motër, sa s’e rrëfej dot,
Xhamave m’rrodhën lotët, si shiu i vjeshtës,
Me to, strehëzën pranë liqenit, vizatova sot!