Shtrati i zhgënjimit-Mimoza Maria Ajdhoni


Mimoza Maria Ajdhoni

Kam rënë në shtratin e zhgënjimit,

sëmundje e rëndë zhgënjimi yt,

dhimbjet godasin si dallga bregun,

lotët të mbledhura lëmsh në fyt.

Kam rënë në shtrat, aty ku bashkë,

zjarre ndiznim me frymët tona.

Tani veç hiri ngeli dhe

çarçafëbetejat në orët e vona.

Kam rënë në shtrat dhe dot s’kurohem,

me vete more ilaçin tim,

copa rrënojash aty- këtu,

shpirtit t’venitur në perëndim.

Kam rënë në shtrat, kudo skëterrë,

në shtrat jam magjistari im,

si më gënjyen dy sytë e tu?!

Shkëndija ndezur në vetëtimë.

Kam rënë në shtratin e zhgënjimit,

përqafuar me imazhin që doja të kishe.

Sa lot mban ky sy, që po lan një botë,

se për mua, ti bota ishe.