Si mund të shkruaj për ty?!Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

Si mund të shkruaj për ty

Si mund të vij aty?!

Kam mbetur pa fjalë

Pa zemër, pa sy

Qëkur i përcollëm ditët përtej lumit tonë

Kur pagëzuam dashurinë.

Eh, ish kohë tjetër

Kohë kur pranvera

i mbarësonte ëndrrat e reja

Dhe nuk i linte të fikeshin.

Ishte koha kur mjaftonte një blí

Dhe një yll në qiell

Dhe pastaj

Hapi krahët e tu dashuri!

Atëhere i dashuruar isha

Pemë e lulëzuar në çelnajë

Stinëve të përmbytura me mall

Veç ti ma sillke pranverën

Vjollcën e parë në mars.

Tash më përndjek purpuri yt mbi buzë

Valëzimi i flokëve gështenjë

Çapitjet e tua mbi barin e njomë…

Eh, ish kohë tjetër!

Veç era lojcake nga ëndrra më zgjon.

Si mund të shkruaj

Si mund të vij aty?!

Tash kujtimesh m’ke humbur

S’je ëndërr, as vegim

Udhëtimit larg kam shkuar…

O driadë e bukur e pyjeve!

Për ty po qan një yll!

Si mund të shkruaj

Si mund të vij aty?!

ll@gjoka