Si një vajzë e ndrojtur


Petro Sota

Fryn erë e lehtë dhe gjethet bien,
Është si një fllad dhe jo furtunë,
Si melodi më ngjan që fishkëllen
Se kështu vjen vjeshta tek unë.

Tingujt e saj më japin frymëzim
Si në një ëndërr, ajo më rrëmben,
Por ka diçka që trondit shpirtin tim,
Dhe më trishton kur gjethet bien.

Por ky trishtim vjen mengadalë,
Ashtu si një re që qiellin mbulon,
Ndërsa hëna sonte vonon të dalë,
Por mua kjo gjë nuk më trishton.

Po dëgjoj zogjtë që kanë mbetur
Aty nëpër pemë, fluturojnë të qetë,
Një vënd po kërkojnë për të fjetur
Se mbrëmja, mengadalë po zbret.

Bije në mendime, rrugës kur kaloj
Pa asnjë motiv, i vetëm po bredh,
Ndërsa rininë t’ime për çudi e kujtoj,
Kur hëna mbi mua rrezet ka hedhë.

Rrugëve të fshatit, kthehet bagëtia,
Blegërima e tyre, shpirtin ma prek,
Si fluturë vjeshtake vjen nostalgjia
Në rrugët e jetës përherë më ndjek.

Prandaj vjeshta mbrëmjeve kur vjen,
Më duket mua, si mysafire e vjetër,
Tek unë, ajo darkën shtruar e gjen,
Me të gjitha frutat dhe ndonjë pjepër

Aroma e pjeprit shtëpinë ma mbush,
Atëhere dhe hënën, e ftojë në ballkon,
Por ajo nga turpi, digjet si në prush,
Dhe herë-herë shkëlqente si limon.

Porsi nuse me vello mbrëmjet janë
Me gjethe të rrëzuara rrugët shtruar,
Ashtu si një vajzë e ndrojtur me fustan,
Që kërkon të fsheh gjunjët e zbuluar.

27 shtator 2021….

About Post Author