Si ta kthej buzëqeshjen-Berzat Sadiki


Mendjes më është hutuar urtësia.

Do të dalë jashtë horizontit të saj.

Më lutet.

përulet.

Nuk e zë vendi.

I them.

E këshilloj:

– Rri aty ku je!

Aty është strofulla jote.

Po dole jashtë strofullës,

ti do të çmendesh,

unë do të varfërohet pa ty.

Do të barazohem me të marrët.

Mund të bëhem mizor.

Mosmirënjohës.

Nëpërkëmbës i së vërtetës.

Ngatërrues i kahjeve.

I poleve.

I drejtimit hyjnor.

Deri në lajthitje në besim.

Do të mund t’i ngatërroj ngjyrat.

Zogjve t’ua marr lirinë.

Fluturave t’ua djeg flatrat.

Diellin ta shaj.

Hënës t’ia pështyj fytyrën.

Dashurinë, që e kam të shenjtë,

e cila më përkëdhel mua dhe ty,

e cila na jep fuqi mbinatyrore

për të hyrë horizonteve të padepërtueshme

për tek i Madhërishmi,

shtresave të hyjënores.

Pranë burimit të shpirtrave.

Pranë pllakës së fatit.

O mendja ime!

O nuri i jetës sime!

O burimi i së vërtetës!

O prijëse e rrugës së jetës sime margaritare!

O mbrojtja dhe shpëtimi im!

Rri në strofullën e stolisur e të shenjtëruar!

Mos më braktis!

As të braktis!

Kur të kalojmë matanë, kësmet.

Atje, përtej kufijve të logjikës.

Dorëpërdore, si gjithjetës.

Të shkojmë të puthitur

si deti me shtratin i tij.

Prandaj, mos më lut!

Nuk ta lejoj gabimin!

Të rrimë tok – në dashuri të plotë.

Këtu…, mendoj, jashtë,

ku ti dëshiron të shfaqesh,

ka dhembje.

Ka njerëz të hutuar

me goja kuçedre.

me dhëmbë vigani.

Pa vesh.

Të pamëshirshëm lirisë.

Këtu, jashtë,

ku jam unë, ka…

Ka… Tmerr.