Nga libri “Zemër për të gjithë”
SIKUR TË KISHTE PAK MEND
(Kurbetit)
1.
Dikush i la prindërit.
Dashuria shtegtoi.
Shkoi të ngrohej,
u kthye në akull.
Mbet gjithmonë e mangët.
E zgjidhur, e këputur.
E gjymtë.
Një pjesë e jetës vdes.
Pjesa tjetër është mall.
Fare pak ka gëzim, fare.
Dashuria u shpërnda rrugëve.
Rrugëve të botës.
Për pak shpresë.
Për pak jetë.
2.
Digjet jeta si qiriri.
Digjen brezat një pas një.
Harxhohet, fiket afërsia.
Dashuria është shpërndarë.
Vështirë se bëhet më bashkë.
Trishtimi është bë jetë.
3.
U ndanë, u shpërndanë njerëzit
për një copë buke pak më të madhe,
për një shtëpi më të bukur,
për një veturë luksoze,
për para laramane.
U ndanë vëllezërit.
U ndanë fëmijët nga prindërit.
U shkëput jeta e ngrohtë.
Shtëpitë u mbushën me merimanga.
4.
Shkojnë me gjuhë të ambël amtare,
kthehen me gjuhë të hidhur barbare.
5.
Sikur të kishte pak mend,
çdo gjë do të ishte në vend.
6 dhjetor 2020 Tetovë
