Siluetë nën ujë


Seti Pezaku Vladi

Këtu,

përreth lumit toka është e lagësht

dhe po ashtu e largët.

Shumë gjëra janë të dënuara të jenë të largëta.

Shumëkujt s’i bie rruga

të dëgjojnë këngën monotone të vajit të valëve,

se asnjë lumë s’i tregon të mbyturit e tij

ngatërruar me flokët e ujit.

Pranë bregut,

në fund të një pellgu uji

befasisht,

fytyra ime pasqyron një siluetë

në formën e një lutje,

herë-herë në formën e një puthje

që fshihet përgjysmë

mes ujit e qiellit

si një foshnjë jetime

që me dhembje qan.

Eh, më duhet të pi gjithë ujin

për ta rindërtuar siluetën

që dënes me zë të mbytur,

për të nisur gjërat e panisura,

ditët e braktisura në një skaj tjetër të jetës

së lënë pezull.

Është përçartje që rrokullis

skutat e errëta të mendimit të djersitur

me bulëza të verbëra drite!

Mbi ujë shkruaj me gishtërinjtë e dorës emrin e saj;

silueta u ronit ngadalë

si përpëlitja e fundit e një dallëndysheje të sapo vrarë

dhe humbi në një mjegull plot mister.

About Post Author