SILUETË PËRTEJ LULESH
Syri më vështron pa zor
nëpërmjet poreve të muzgut
strehën tënde
Përtej luleve të ballkonit
nuk shquaj më forma të hapura,
veç siluetës sime
të qullur nga djersët
duke shtrydhur me mundim
lodhjen e virgjër të viteve…
Iu luta muzgut
të ma sillte këtu
veten time!
Ma solli
majë një skepi korbash.
Ngandonjëherë
të folurit me vete
të çliron për tu larguar
nga ky karvan fatesh të nemura.
Tani ndjehem e skalitur
me heshtjen e pashije
si puthje fantazmash
që më kafshon
netët e pagjumëta.
