Skaner në kohë reale-Llesh Gjoka


Llesh Gjoka

Një organizëm i sëmurë po pjestohet
në copa tingujsh
që nuk u ngjitën dot te një pasthirmë
që u desh të lindte
si shfrim i vuajtjes,
si psherëtimë tallëse për shpirtin
ditëve vegane
pa mishin e kurbanit
në emër të dashurisë së madhe.

Një organizëm i sëmurë po ndahet
në copa fjalësh që nuk u bashkuan
as sa për një sentencë
të sinqertë, frymëzuese
ogur për një festë miqsh
lutje në përulësi sublime
amanet i patharë
për ditën e fundit.

Edhe unë sa herë
në përpjekjet e mia dështake
i betuar në ungjillin tim të vjetër
renda të mbledh copat
udhëve pa krye
në gjakim ëndrrash të paçelura
në eposin tim
me kreshnikë të vrarë nga koha.

Në kësoll rigova sytë
mallit për të ikurit përtej.
Copa legjendash mbledh
ditëve që bien
Nuk kam etje, as shije
jetën ta dëfrej.