Skënderbeu dhe koloneli amerikan-Sami S. Shatri


Sami S. Shatri

(Interesante: Çka tha Koloneli Amerikan, me 28 Nëntor, 2001)

Me rastin e ditëlindjes së heroit tonë Kombëtar dhe Kryeheroit me përmasa botërore, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të nderuar lexues, më lejoni të ndaj me ju një kujtim të një ngjarje të ndodhur në vitin 2001, atë ditë kur busti i Kryeheroit tonë, rrugëtoi nga Tirana për në Prishtinë!

Për ta përcjellë te lexuesi sa më qartë e origjinal këtë ngjarje, bisedova edhe njëherë me dëshmitarin okular të asaj ngjarje, Z.Osman Breznica, inxhinier në pension i cili punoi mbi dyzet vite në Distribucionin e Prishtinës dhe ishte inxhinieri më popullor dhe profesionist në tërë Distribucionin. Pata fatin e mirë ta takoi dhe punoi me të.

Tregonte shpesh Z.Osman, këtë ngjarje të rëndësishme dhe të pazakontë të asaj date të madhe:

Busti i Gjergjit ishte nisë nga Tirana i përcjellur nga qytetarë të shumtë shqiptarë, të: Shqipërisë, Kosovës, Diasporës dhe viseve tjera ku ka shqiptar. Ekipën për sigurinë e bustit e kryesonte një Kolonel Amerikan, shoqëruar nga një përkthyese shqiptare dhe forca tjera të sigurisë, kuptohet në atë kohë rrugëtimi ishte i vështirë, duke marrë në konsiderim rrugën në të dy anët që ishte në gjendje mizerie.

Pas shumë orëve rrugëtim, busti me ekipen arrijnë në Vërmicë, organet kosovare të sigurisë e marrin në pranim-dorëzim, të udhëhequra nga Koloneli Amerikan. Kushtet rrugore ishin tepër të vështira, kemi parasysh situatën menjëherë pas luftës.

Kur busti i Kryetrimit arrinë në Preocin e banuar kryesisht me serbë, në atë kohë Preoci ishte nën administrimin e komunës së Prishtinës, automjeti transportues ndalon, ishte e pamundur të kaloi për shkak të dy largëpërçuesve të energjisë elektrike që kryqëzoheshin në atë pjesë të rrugës.

Organet përgjegjëse kosovare nuk ishin të sigurta, se a janë të ngarkuar me energji këta largpërçues apo jo. Lajmërojnë shpejt në KEK-Distribucion, Z.Osman Breznica bashk me Z.Halil Tërnava, nisen shpejt drejt Preocit, për t’ju dhënë informatën.

Koloneli amerikan e humbë durimin e pritjes, nxjerrë revolen dhe i thotë përkthyeses “Pres edhe 5 minuta, përndryshe e ndali rrymën me revole”.

Në ato çaste mbërrin Inxh.Breznica, i cili u tregon saktë se cili LP ka rrymë e cili është pasiv. Koloneli i nderuar urdhëron përkthyesen t’ju thotë ekipit këto fjalë:

“Unë pres edhe dy ditë nëse është nevoja, sepse e kam detyrë të shenjtë këtë mision, Kryeheroi juaj nuk mund të presë, ai ka pritë plot 550 vite të arrij në tokën e tij, andaj sot ky na urdhëron, unë jam nën komandën e këtij kalorësi të papërsëritshëm (si duket kishte njohur mirë historinë e Skënderbeut).

Eskorta bashk me Gjergjin, fillojn rrugëtimin për në Prishtinë, kryeqytetin e tij të dytë.

Turma e popullit që e shoqëronin rritej vazhdimisht. Në sheshin Skënderbeu ishin bërë përgatitjet madhështore për pritjen e Kryeheroit, ishin mbledhë mbi 100 000 njerëz në shesh, aty ishin edhe strukturat udhëheqëse të asaj kohe, në mesin e tyre edhe Presidenti Rugova dhe Kryesuesi i Këshillit Organizativ të këtij manifestimi madhështor, Z.Mark Krasniqi, i cili e hapi manifestimin me fjalët:

“Mirë se erdhe në mesin tonë, o i madhi Skënderbe”

Presidenti Rugova, ju drejtua popullit me këto fjalë:

“Shqiptarët dhe Kosova po bashkohen dhe integrohen në botën përendimore, aty ku e kanë vendin dhe në atë botë që Skënderbeu e mbrojti me dinjitet”.

Në fund të manifestimit erdhi lajmi nga Kaliformia e largët, nëna e re Dardane me emrin e bukur Shqiponjë, lindi djalë në këtë datë të shenjtë, 28 Nëntor 2001, dhe djalin e pagëzoi me emrin e bukur GJERGJ!

Këtë tregim, me origjinalitet të plotë e solla te ju lexues të nderuar, për t’ju treguar se sa i çmuar dhe nderuar është ky hero, për popujt përendimorë që e kuptojnë mirë rëndësinë e një heroi me përmasa biblike dhe në të njëjtën kohë për t’ju bërë me dije shumë pseudointelektualëve dhe trutharëve shqipfolës, se sa të mjerë dalin kur flasin gënjeshtra të sajuara nga kuzhinat helmuese, për këtë hero të papërsëritshëm …

Po citojmë fjalët e shkruara të Sulltan Mehmetit të dytë:

“Kurrë nuk ka për të dalë në këtë botë, një Luan si AI”

Në fund, në shenjë respekti dhe nderimi, për Mbretin e gjithë Mbretërve, që nesër na vjen madhështorë në Gjakovën e Dardanisë, vendin e bukur të Shqipërisë!

……….

Shumë prite, tash e sa mot

O, i madhi Gjergj Kastriot!

Krenar erdhe, në truallin tënd

Përjetë, këtu do të qëndrosh

Çdo cep i tokës Arbërore,

Të kërkon, të kërkon, të kërkon …

Lavdi Kryeheroi jonë 🇦🇱

Prishtinë: Maj, 2024

Samy