Sokrat Habilaj-DUKE KËRKUAR ATË QË MË MUNDË


Sokrat Habilaj

DUKE KËRKUAR ATË QË MË MUNDË

Kë doja të mundja me kohë e munda,

A ndoshta më pëlqen të them kështu.

Po fakt është se jam lodhur nga lufta,

Armët s’i ngre më dhe në plastë diku.

Si ushtar i vjetër, përzhitur nga flakët,

Do ulem të prehem i qetë në një pllajë.

Ndërsa s’më hyjnë më në punë armët,

Fshehur nga të mundurit, do nis të qaj.

Do nis të qaj për një zënkë, a një luftë,

A thjesht për sherr, të grindem me dikë.

Po tani dua një armik që të më mundë,

E nëse nuk gjej të tillë, do ta shpik atë.

Do ta shpik si trill,do ta shpik si mall,

Sikur për fituesin, të kthehem në trofe.

Hedh sytë në llogore,ti më rri përballë,

Dua të më mundësh, po mos pyet pse!

About Post Author