Sokrat Habilaj:…Tani


Sokrat Habilaj:…Tani

…tani që malli për ty, nuk është mall,
po liqen i thellë që shtrihet i pafund,
e vetja më duket si një shelg përball,
që në vend të fjalëve gjethet i tundë,

…tani që unë duhet të të ruaj si pellg,
e sa më jepet rasti pa lidhje nis e qaj,
jo se dua të bëj ritin si bën çdo shelg,
po nëse shteron, s’di ç’të bëj pastaj,

…tani që e kam bindjen se është loti,
që s’më lë të bëhem kërcu, si eshkë,
dhe ty të mburrem se jam kaq i zoti,
të të ngre dallgët, kreshtë më kreshtë,

…tani për ty, si çarçaf i shtroj gjethet,
e lotët e mi, në grua i ktheva për pak,
mallkoj liqenet, mallkoj dhe shelgjet,
shfaqu mall si ti, të mos flas përçart!