Sokrat Habilaj:Detaje malli


Detaje malli

Nuk je gruaja më e bukur që ka bota,

Sepse gruaja më e bukur nuk ekziston.

Po mua më duhej një hollësi ndoshta,

Që të besoja qoftë dhe në një iluzion

Mua do më duheshin ca gjëra si truke,

Le të themi një shall zverdhur si thekër.

Mbi flokët e nënës, i shtrirë mbi supe,

Që ta shihja një çast tek një grua tjetër.

Mua do më duheshin dhe pak grimca,

Le të themi sytë e motrës ulur mbi gju.

Duke thurur mallin për mua me shtiza,

Që unë ta gjeja tek një grua, po ashtu.

Tek një grua do më duhej dhe një detaj,

Që s’ka lidhje me asnjë parfum, a stoli.

Le të themi dhe shikimin e nënës së saj,

Ta duash burrin si nuk ke dashur njeri.

Kisha shumë trille që s’i shmangia dot,

Sa ty të gjeta si desha, pa asnjë vërejtje.

Natyrisht ti nuk je më e bukura në botë,

Po je bota, kthyer në një grua të vetme!

About Post Author