Dikur…
Unë mund të dashuroj ty, kur të dua,
Sot, nesër, a ndoshta njëherë tjetër.
Po ti mos më thuaj:-Tallesh me mua!?
S’ka pse lotët të të bien mbi mjekër.
Mund të dashuroj ty, vetëm i pari,
Pastaj të shikoj sytë e tu hutaq.
Ti mos më thuaj:-S’ndizet kështu zjarri,
Se ndoshta lëndohem dhe e lë me kaq.
Mund të dashuroj, a të pres edhe ca,
Sa të harkosh vetullat e habitur.
Nuk ndodhin kaq lehtë gjërat e mëdha,
Po ti mos thuaj se nuk më ke pritur!
Kur të kem në duar fytyrën tënde,
Do të pyes:-Të lodhi pritja e gjatë?
Mund të dashuroj si e kam në mendje,
Që ti të më duash, thjesht si një inat!
[ Sokrat Habilaj ]
Pikturë nga Igor Onoprienko
