Sokrat Habilaj:Këtë grua


Sokrat Habilaj

Këtë grua që po pi kafe e heshtur,

Dikur e kam lënduar, e lëndova kot.

Dhe ika, natyrisht jo për t’u fshehur,

Si t’i rrija pranë, kur të derdhte lot?

Ndoshta ika, si ikin të gjithë burrat,

Që një lot gruaje, i nxjerrë nga vetja.

E pastaj me inat, nisin e prishin urat,

Të mos e dëgjojnë, ç’thotë ajo tjetra.

Ndoshta nuk doja, ta dija se humbi,

E kur shpirti i saj, u gremisë në gju.

Mund t’i shikoj, plagët që lë plumbi,

Por kurrë një grua, të rrëzuar ashtu.

Dikur e kam lënduar, krejt pa burrëri,

Po dhe e kam pritur që të merrte hak.

Për mua të dilte, duke më zënë pusi.

Të më kthente baltën, balta ishte pak.

Kur më doli para, unë them, në pritë,

M’u kujtuan lotët, që hodhi për mua.

Unë i bërë burrë, i thash:-Më goditë!

-S’erdha të të vras, erdha të të dua!

S’mbante në duar, as armë, as sharje,

E pse ende plagë, kishte shpirti i saj.

Po ka një jetë, s’reshti me hakmarrje,

Duke më dhënë veten, që të ndjej faj.

Foto web Monica Belluci

About Post Author