Sokrat Habilaj:Në Labëri, atje mes reve (Udhëtim me tre të tjerë)


Shënim.Lexova te gazeta :”Dita” nje studim ,ndoshta ese më mirë te shkrimtarit Sokrat Habilaj.Një perle e vertete per letrat shqipe.Komunikova me familjen per ta botuar te plote dhe i falenderoj.Marre nga gazeta :”Dita”.

Nga Sokrat Habilaj

Tingëllon e largët dhe e paarritshme Labëria. Tingëllon më e largët se mund të mendohet, sepse ndodhet jo thjesht midis tokës dhe qiellit, por shumë më lart se vetë toka nga njëra anë dhe qiellit, nga ana tjetër. Ajo duket si një vend diku pas maleve, atje ku fillojnë retë, ose si një stacion që vetëm mund të flitet për të, duke e parë nga larg. Është një peizazh mbështjellë me mistere. Fundja si të gjitha gjërat që tentojnë qiellin. Edhe kur je pranë, aty në portat e saj, nëse dikush të pyet se ku ndodhesh, nuk është çudi të stepesh, sepse edhe vetë nuk je i bindur nëse je në Labëri, ose jo. Edhe kur je ngjitur me të, edhe kur ke hyrë në brendësi të saj, para vetes do kesh si një mur të lartë, një mal që duket se ta mbyllë portën.

E pra, kurrë mos u ngutni të deklaroni se në fund keni mbërritur në Labëri. Sado të mendoni se i jeni afruar, Labëria, gjithmonë është më tutje asaj që keni arritur. Në çdo pozicion, apo pikë që të jeni, Labëria është tej maleve. Ndërsa afrohesh drejt saj, ajo duket se të largohet, për t’u fshehur mes maleve të tjerë. Shumica e atyre që kanë folur për Labërinë, janë mjaftuar duke përcaktuar si skaje të saj, tri ura. Ky përcaktim, jo vetëm që nuk është i saktë, po për më tepër ato “tri urat”, kanë krijuar një barrierë, duke e lënë Labërinë e vërtetë, si një nocion të papërcaktuar dhe krejtësisht të panjohur. Më tej nuk kanë guxuar të ecin. Nuk kanë guxuar edhe për arsye objektive, por edhe nga fakti se njerëzve që nuk jetojnë në Labëri, bota që mbulohej nga retë e atyre maleve, u është dukur monotone, ku nuk ia vlente sakrifica për të guxuar më tej.

Të vizitosh Labërinë, nuk mjafton të ecësh përgjatë shpateve që e rrethojnë, duke filluar nga Ura e Mifolit, rrjedhës së Vjosës në dy anët, Tepelenës, Gjirokastrës, poshtë Qafës së Muzinës deri në bregun e detit e më tej, në Vlorë. Ky udhëtim, në fakt është dhe i vetmi itinerar që është përshkuar deri në sot nga ata që kanë dashur të vizitojnë Labërinë.

Më pas, kur janë kthyer dhe kanë rrëfyer, thuajse lehtësisht, si një udhëtim dosido: Isha në Labëri! Ky është thjesht iluzion i ca njerëzve që nuk e kanë vijuar udhën deri në fund. Labëria nuk është thjesht tej rrugëve të kryeqytetit, apo çdo qendër urbane. Labëria është botë në vete, dhe jeton po si një botë që është vetëm e saj. Ata që flasin për të, kanë bërë një rrotullim rreth saj, po nuk kanë shkuar në Labëri. Më kot janë munduar të tregojnë se atje kanë parë një krahinë të ashpër. Se kanë takuar ca njerëz, po kaq të ashpër dhe krenarë, krenarë më shumë se duhet. Krenarë me tepri. Thuajse krenarë kot, që u pëlqen kërraba dhe pushka, dhe që si pa lidhje, sa bëhen bashkë tre vetë, këndojnë. Se ata njerëz dhe në biseda të zakonshme, flasin si në një lloj sherri, e se kanë një të folur, ku shpesh e hanë, ose e zbutin ndonjë germë në çdo fjalë, një e folur që është pak më ndryshe se e folura jugore dhe shumë më ndryshe se ajo veriore.

Ndoshta ka dhe një shpjegim pse ndodhë që udhëtarët të mos hyjnë më në thellësi të Labërisë. Një lloj “tangëlliku”, i komunikimit fillestar të banorëve të kësaj zone me këdo që takojnë, duket se krijon një lloj bezdisje dhe mbase i ka stepur udhëtarët të ecin më tej, në drejtim të tyre.

Po vërtet, ndoshta është e vështirë të komunikosh me një temperament krenar, dhe udha më e drejtë “për t’ia ulur hundën” është anashkalimi i këtij temperamenti. Ky anashkalim, kjo harresë, apo injorim që mund të funksionojë në shumë raste, është i pamundur për shumë e shumë arsye kur flitet për Labërinë. Banorët e kësaj zone, kanë një lloj krenarie imponuese, deri diku dhe njëlloj cinizmi që e shprehin herë ju jepet rasti. Kanë një krenarie që nuk e përjetojnë thjesht me veten e tyre. Ata janë ngacmues në krenarinë e tyre, që do të thotë se edhe nëse dikush nuk e vë re, do të ta sjellin bisedën si rastësisht, të të lënë të kuptosh se bashkëbiseduesi i tyre është banor i një zone pak më ndryshe se të tjerat.

Natyrisht për Labërinë në tërësi është folur gjatë, po sot udhëtimi ynë, do të ndjekë një udhë të pashkelur të saj. Besojeni se jo shumë kohë më parë, këtë itinerar askush nuk e kishte përshkruar të plotë.

Në ndryshim nga harku skajor i Labërisë, apo dhe harku i dytë që vjen më pas tij e që nis nga Ura e Drashovicës, duke dal në Poçem, është dhe një hark tjetër. Ky hark, për të cilin do flasim në vijim, mbledhë brenda vetes shpirtin e Labërisë dhe, siç ndodhë me shpirtin, ai ndodhet diku i fshehur. Porta e tij është në qafën e Dushkut, pastaj hapet në dy krahët me fshatrat Vajzë, Sevaster, Sinanaj, Salari, Nivicë, Progonat dhe Gjorm, Brataj, Kallarat, Kuç e sërish në Progonat. Nisur nga ky harkim, është e bukur, thuajse si poezi, të thuhet se tek porta e tij, para se të nisësh udhëtimin, të pret një Vajzë, një vajzë jo thjesht prej mishi e gjaku. Një vajzë-Vajzë edhe prej mishi e gjaku, edhe prej shpatesh e burimesh, edhe prej dhimbjesh e historish, edhe prej varresh e kujtimesh. Ndoshta rastësisht, ndoshta dikush qëllimisht ka vendosur që portën e shpirtit të Labërisë, ta hap një fshat me nure e hire femre. Ndoshta për të treguar se tej atyre maleve, jo gjithçka është kaq e ashpër dhe mashkullore, ndoshta edhe për ta zbutur imazhin e asaj që shtrihet pas supeve të kësaj vajze, ndoshta për të treguar se thelbi i krenarisë në vetvete është femër, ajo ngutet e të del në portë, aty në harkun e parë të Labërisë. Po ndoshta kjo vajzë rri aty në hyrje edhe për të thënë se vërtet në portë po ju pres unë, po udha më tej është krejt ndryshe.

Ndërsa udhëtojmë, njëra nga bashkudhëtueset tona thotë:

-Ky udhëtim është si një udhëtim për tek vetvetja. Është njëlloj si të jesh rritur në shtëpinë e madhe të të parëve të tu, dhe një ditë kupton se e ke neglizhuar këtë shtëpi, në të gjitha hapësirat e saj, duke mos prekur dhe vrojtuar çdo skutë dhe çdo kthinë. Shtëpia ka qenë aty për mijëra vite. Aty kanë qenë rrugicat e saj. Shtëpia e të parëve të tu është i gjithi ky harkim lab, po ti, ne pra, s’i kemi kapërcyer të gjitha portat e saj.

Tej shtëpisë ku ke jetuar, ka qenë një livadh, një burim, një kreshtë, një kanion, po udha për tek ato ka qenë thuajse e mbyllur. Shto këtu dhe indiferentizmin tipik i njerëzve që jetojnë mes maleve, për të cilët është i mjaftueshëm një shpat, një shpat që shpesh, si askund në botë, mban emrin e banorëve të veçantë që jetojnë aty. Por ky tipar, ky “indiferentizëm” i banorëve të kësaj zone në shpatin e vetë, nuk është vetmi.

Mund të ndihet i vetmuar një banor që jeton diku poshtë në fushë dhe hedh sytë tek gardhi i tjetrit, pak metra më tej, ku i duket se mbaron kufiri i tij. Por një banor malesh, nuk ndihet i vetmuar. Ai nuk ndihet i vetmuar edhe pse banori fqinjë i tij, është as më shumë e as më pak, po në një pllajë tjetër mali. Mes tyre është vërtet një shpat mali, një lum, apo një korie, po këto nuk janë kurrë vija ndarëse, po vazhdim i botës së tyre. Malet janë shtëpia e tyre, ndërsa ato shpate, apo korie, janë thjesht ballkone dhe anekse të kësaj shtëpie të madhe.

Bashkudhëtarja kishte të drejtë. Ne as afroheshim, po as largoheshim nga diku, po vërtiteshim në anekset e shtëpisë sonë. Të dukej se ishim duke udhëtuar nëpër labirintet e kështjellës, në ca shtigje që kishin qenë të mbyllur, por sado që ecnim, distanca për te kështjella, dukej se nuk shkurtohej.

Është interesant të thuhet se udhët përgjatë rrethit që mbështjellë zemrën e Labërisë, nuk kanë munguar. Madje ajo e pjesës veriore, është ndërtuar mbi njëqind vite më parë, nga austro hungarezët. Është nga të parat rrugë në Shqipëri, po çuditërisht ka pasur mbi vete një mallkim. Ajo ka qenë e dënuar të përshkohet nga pak udhëtarë, deri sa u kthye në një imazh të trishtë e të vetmuar, që gjarpëron mes maleve, ku përditë e më tepër, thuajse nuk shkelnin më udhëtarë. Nëse ka qenë e qëllimtë kjo harresë e pjesës thelbësore e Labërisë, kjo nuk dihet me saktësi. Ajo që dihet, është fakti se nga memoria jonë është anashkaluar padrejtësisht qendra nga ku nisë Labëria.

Shpirti i Labërisë, mes këtij harku që nisë atje poshtë, tek qafa e Dushkut, mbeti larg botës. Tmerrësisht larg! Në gjirin e saj, nuk ka pasur asnjë qendër urbane, asnjë metër asfalt, aq sa do të thoshim se “qytetaria”, në kuptimin klasik të kësaj fjale, ishte pafundësisht larg dhe e panjohur. Por, tej këtij gjykimi apriori në lidhje me qytetarinë, le të themi se këtu konstatohet dhe një dukuri interesante. Duket se tek këta banorë, raporti në dukje i munguar me qytetarinë urbane, nuk i ka penguar të kenë një qytetari krejt të veçantë. Një qytetari tipike që është vetëm e tyre. Ata kanë kujdesin e  tyre, në mënyrën e organizimit të çdo ceremonie, kanë finesën e tyre në mënyrën si këndojnë, ai si thurin vargje.

Bashkudhëtarja tjetër vijon:

-Unë them se terreni ku jeton dikush, ndikon më shumë sa duket në gjithçka. Duket se mënyra e veshjes, ashtu me gunë dhe bregorja që mbajnë në kokë, si majë e thepisur dhe përherë e bardhë, kanë lidhje me malet. Edhe komunikimi i tyre është krejt i veçantë. I keni venë se edhe bisedat e tyre janë kaq të ngutshme. Ata nguten t’i derdhin fjalët në mënyrë të zhurmshme. Ata kanë temperament të theksuar dhe befasues, ashtu si ky terren. Po tani, ata do flasin edhe për detin që u afrua tek këmbët e tyre. Ndoshta do të pësojnë pak nga pak, ndryshime. Ndoshta do flasin më shtruar, më qetësisht, a ndoshta do mundohen t’i zgjedhin fjalët, siç bëjnë njerëzit tej këtyre maleve. Ndoshta jo sa herë të bëhen tre vetë bashkë, do t’u shkrep damari të këndojnë, ndoshta kënga e tyre që i ngjan koreve të antikitetit, do humbas pas tingujve të veglave muzikore. Thua një ditë, këta banorë, të ulur mes miqsh, do ta harrojnë t’i thonë njeri tjetrit, ma mbaj këngën!

-Harroje!- thotë prerë ai që është në timon, dhe më pas shton:

-Nëse ndodhë kjo, pas ca kohësh, do themi se këtu, vite e vite më parë, jetonin ca banorë që quheshin lebër. Do themi se pikërisht këtu, vite më parë, jetonin ca banorë të veçantë në kryeneçësinë e tyre. Po nëse kjo gjë nuk ka ndodhë për mijëra vite, pse duhet të ndodhë në vijim!? Deti do jetë aty, si vazhdim i tyre, malet do të jenë këtu mbi kokat e tyre, dhe shpatet gjithashtu do vazhdojnë të jenë këtu, poshtë shpatullave të tyre, dhe ata do kenë dhe një arsye më shumë për t’u krenuar.

Shikojeni me kujdes në hartë shpirtin e Labërisë, që nisë tek qafa e Dushkut! Shikojeni dhe do çuditeni për atë që do vëreni. Larg epiqendrave ku prodhohen lajme e jepen opinione, ku flitet edhe për Labërinë në tërësi, po kurrë për këtë rreth Labërie, ndoshta askush se ka vënë re se edhe nga forma gjeografike e këtij harku malesh, ngjason me një zemër të madhe, e cila pulson gjak në gjithë Labërinë në tërësi, po pse jo edhe më tej. Nëse ata që kanë fol e fol për Labërinë në tërësi, nuk e kanë ditur se ky bie kjo zonë, të paktën dhe ashtu shkarazi, duhet t’i hidhnin sytë në hartë dhe ta shikonin ngjashmërinë e çuditshme të kësaj zone me një zemër të vërtetë. Kjo është rastësi? Ndoshta po, ndoshta dhe jo! Kjo “Labëri”, ndodhet larg rrethit të dytë lab, që nisë në Drashovicë, ndodhet shumë larg rrethit të parë, që nis në Mifol, dhe pafundësisht larg vendeve të tjera, tej këtyre rrathëve. Kjo është Labëria që nis tek Qafa e Dushkut. Në vijim, kur dikush t’ju flasë për Qafën e Dushkut, kujtoheni se duhet ta fiksoni këtë qafë me këtë emër, sepse ajo vërtet është një qafë-portë që të fton të hysh në një kështjellë vërtet me tipare mbretërore.

Nisur nga kjo qafë, flitet shumë për hapësira të largëta, po koncepti i largësisë, nuk është kaq i thjeshtë për t’u përcaktuar. Shpirti i Labërisë që nisë tek qafa e Dushkut, ndihet shumë larg edhe ndaj vetes së vet. Është një hapësirë e thepisur, jo shumë e madhe, po shumë larg nga njeri skaj i saj në tjetrin. Larg dhe nga vetvetja.

Nëse gjendesh nga ana e lumit të Shushicës, ku makina jonë po ngutet të hyjë më thellë mes maleve dhe pyet për zonën e Sinanaj, apo të Nivicës, njerëzit ngrenë dorën drejt qiellit dhe të thonë se ato ndodhen larg, shumë larg tej, maleve. Nëse ndodhesh në Salari, po kështu Lumi i Vlorës dhe Nivica janë tej maleve. Nëse ndodhesh në Nivicë, lumi i Vlorës dhe Sinanaj, ndodhen po kaq larg tej maleve, thuajse në një botë tjetër.

Lidhjet e banorëve të këtij harku Labërie, ndoshta nuk kanë qenë aq të shumta, sepse në mes si mure qiellore, ishin malet. Kjo nuk ka penguar që kjo zonë kaq e prerë mes për mes nga male pafund, të jetë, pa e ekzagjeruar, zona më homogjene e Shqipërisë. Homogjene deri në detaje. E pra, ata ngjasojnë me njeri tjetrin, thuajse si banorë të një shtëpie të vetme. Dhe ta mendosh se janë kaq të ndarë, si mes thikë nga njeri tjetri, prej maleve që ndajnë jo thjesht një fshat, apo krahinë nga fshati apo krahina tjetër, po dhe një, apo një grumbull shtëpish, prej një ose disa të tjerave.

Nëse ulesh në një tavolinë në Kuç apo në Salari, në Vajzë apo Nivicë, në Progonat apo Smokthinë, në Bolenë apo Rexhinë, në Gusmar apo Gjorm, në Dhëmblan apo Bolenë, nuk të duhet shumë mundim për të vërejtur ngjashmërinë e tavolinës, kudo qoftë ajo, në fshatrat e mësipërme.

Duke u nisur që nga imazhi tej dritares, ku padyshim do të shfaqet një mal i thepisur, duke u nisur nga dëshira për të shtruar në tavolinë gjithçka munden, duke u nisur nga gotat e rakisë gjithmonë të mbushura dhe një shishe plotë, që nuk mungon tej në një skaj, duke u nisur nga një portret nëne që rri në mur, portret për të cilën përgatituni se do vijë çasti që do trokitet gota për të, e do pihet me fund ajo gotë, gjithçka është njëlloj tej e tej, këtij harku Labërie. Mënyra si i shtyjnë bisedat, mënyra si e zbukurojnë trokitjet e gotave, mënyra si nuk të lënë ta kthesh gotën, pa e shoqëruar me fjalë të zgjedhura, thua se janë duke t’u lutur, pije me fund dhe mos hezito se aty brenda asaj gote është një pjesë e shpirtit të mikut dhe të zotit të shtëpisë, si dhe dëshira e tyre për të ardhur në humor, me një gotë më tepër, janë po njëlloj kudo këtu. Aq të ndarë nga njeri tjetri, të krijohet ideja se para se të ulen në tavolina, para se të bëjnë dasma, para se të përcjellin dikë në varr, dikush i ka mbledhur, të gjithë bashkë këtej dhe matanë maleve dhe u ka mësuar të njëjtat rregulla. Dhe kujt ia kanë bërë këto shpjegime rregullash!? Atyre banorëve, ku duket që jo vetëm çdo fshati, por dhe çdo shtëpie të veçantë, dielli i lind nga mal i veçantë! Çuditërisht ata këndojnë njëlloj edhe pse duke qenë “matanë maleve”, rrallë kanë qenë në dasma tek njeri tjetrit. Duke qenë të ndarë nga malet, thuajse nuk janë ulur bashkë, për të ndjekur si këndon njeri, apo tjetri. Çuditërisht, edhe pse jetojnë në një harkim të pazgjidhshëm dhe të përbashkët malesh, këta banorë, nuk i kanë pasur të shpeshta tavolinat e përbashkëta. Kjo ka ndodhur, jo se ata nuk i kanë dashur ata që ishin tej maleve. Ata i kanë dashur në mënyrën e tyre dhe pse nuk ishin takuar kurrë, por nuk janë ngutur të bëjnë miqësi me ata që ishin pas malit, sepse ndoshta nuk kanë dashur që bijat e tyre, t’i humbitnin matanë reve, rreth e rreth harkut lab. Nuk kanë dashur që bijat e tyre t’i kthenin në harresë dhe humbje, si vetë retë. Dhe prapë këta banorë, të fshehur në male të veçantë, janë po kaq homogjenë nga mënyra si i bëjnë dasmat, si zbatojnë ritet e tyre, si i kthejnë bijat e tyre në hënore, kur i veshin nuse dhe si lotojnë burrërisht, kur i përcjellin tek porta, edhe pse rrallë, shumë rrallë, i nisnin tek njeri tjetri.

***

Banorët e këtij harku janë thellësisht homogjenë edhe në ritet e vdekjes. Janë kaq të ngjashëm nga mënyra si qajnë, nga forma si e zezojnë gjithë fytyrën e tyre. Nuk kanë asnjë ndryshim nga mënyra si e kthejnë momentin e vdekjes në një premierë thuajse artistike, deri në detaje, ku të gjithë janë të detyruar të heshtin dhe të dëgjojnë atë që di të qajë më bukur. Dhimbja këtu mund të jetë njëlloj, po vajtimi nuk është njëlloj i bukur. Vetëm atje ndodhë që pasi mbaron vajtimi i dikujt që di të qajë bukur, të pranishmit ndihen në një lloj mënyre të lehtësuar, të lehtësuar aty pranë arkivolit, ndërsa përqafojnë atë që qau. Atë që dinte të qante aq bukur. Atë që qau dhe për to. Ajo nuk pengoi askënd që të qante bashkë me të, por mënyra e saj se si qanë, i bënë të tjerat të heshtin, thuajse se harrojnë arkivolin që kanë para vetes.

Tjetra shton:

-Diku kam lexuar, sy harkim i mbyllur malesh është homogjen dhe në aspektin besimin fetar. Nuk e di sa i manifestojnë ritet fetare, po besoj se ka ngjashmëri. Nëse vazhdon këtë rrugë më tej, duke i nisur nga këtu në Gjorm, Lepenicë, Brataj, Smokthinë, Bolenë, Kallarat., Kuç, Gusmar, Rexhinë, Nivicë, Progonat, Salari, Sinanaj, Sevaster,  Ploçë, apo Vajzë, do të vini re se objektet e kultit janë me pakicë.

Banorët e rrethit të parë të Labërisë, vërtet janë homogjen dhe në besimin fetar, ose më saktë në lirinë ndaj besimit fetar. Objektet e kultit janë të rralla, por çuditërisht në çdo fshat janë me shumicë emërtime të tilla, si “Bregu i Kishës, “Sheshi i Teqesë, “Vendi i Mirë”, gjë që tregon një histori pak më ndryshe nga ajo që shpalos sot kjo krahinë, në aspektin fetar. Por kohët kanë ndryshuar, dhe besimi ka ndryshuar sa tek “Bregu i Kishës”, aq tek “Sheshi i Teqesë”, apo tek “Vendi i Mirë” dhe sot jemi para një dukurie të tillë që pikërisht në këtë krahinë, të kemi ndërthurje qoftë dhe formale, të besimeve fetare. Në çdo fshat, tej e tej harkut të parë të Labërisë, ashtu si autorit të këtyre radhëve, ka plotë raste, ku emri i një personi të vetëm, i takon një besimi fetar dhe mbiemri një besimi tjetër. Dhe ta mendosh se kjo krahinë nuk ndodhet, as në ndonjë udhëkryq rrugësh dhe as nuk plekset me ndonjë trevë tjetër. Bota është larg, dhe për rrjedhojë dhe qendrat e besimit fetar, janë larg prej këtej. Shumë larg! Është e vështirë ta shpjegosh, si ka ndodhë kjo dukuri homogjeniteti, në këtë largësi kaq të madhe dhe kaq të veçuar nga bota.

Ky harkim Labërie është homogjen dhe në “pastërtinë e gjakut” të vetë, nëse shprehemi kështu. Ata që kanë ikur nga këto fshatra, tutje nëpër botë të tjera, kanë qenë të shumtë, por ata që kanë ardhur për të banuar këtu kanë qenë zero. Ndoshta, këtë nuk e kanë lejuar kushtet e vështira, apo ndoshta dhe fakti se kushdo që do nisej për këtu, ishte i bindur se rruga nuk të çonte askund, sepse ngado që të drejtoheshe, do të dilte përpara dhe do ta priste udhën, një shpat mali që mund të kapërcehej vetëm në botën e imagjinatës.

Sot e kësaj dite, janë po ata banorë që i kanë dhënë emrin kësaj zone. Kjo ka bërë që ata të jenë ndryshe në kulturën e tyre. Kjo ka bërë që kënga e tyre të mos ketë ndryshuar shumë që kur lindi së pari, ku si askund tjetër, nuk mund të ulesh në një tavolinë gëzimi, nëse nuk ke dhuntinë për të kënduar. Kjo ka bërë që ata të ngjasojnë aq shumë dhe në mënyrë e komunikimit të tyre, ku më së shumti u pëlqen e folura pa shumë delikatesë, në një të folur përgjithësisht me zë të lartë, apo që shpesh atë që duhet ta thonë ca më vonë, nguten dhe e thonë pa kohë.

Me shikimin tej dritares, ndërsa makina shoqëronte rrjedhën e Shushicës në të kundërtën e saj, duke vrapuar, sa thuajse gëzonte që përherë të parë po ecte aq shpejt në atë rrugë, njëra nga bashkudhëtaret tona, si të ishte duke fol me vete, tha:

-Kjo zonë ka qenë shumë e ashpër me gratë. E ashpër deri në dhimbje.

Ndoshta ky nuk është një përcaktim i saktë. Ndoshta nuk do ishte e saktë edhe sikur të thuhej se kjo zonë ka qenë e padrejtë me gratë, edhe sikur të thuhej se kjo zonë i ka anashkaluar ato, apo edhe sikur më keq akoma, të thuhej se kjo zonë i ka lënduar gratë. Më e saktë do ishte të thuhej se ky hark Labërie, ka qenë i trishtë me gratë. Më tej akoma, ndoshta duhet thënë se në këtë zonë, marrëdhëniet me gratë kanë qenë disi të çuditshme. Thuajse homerike. Lirike dhe epike deri në palcë. Banorët brenda harkut të parë të Labërisë, i kanë dashur po njëlloj gratë, si tërë burrat e botës, por për këta banorë, duhet thënë një fakt që nuk ndeshet tej maleve labe. Në botën e tyre, figura e gruas është e ndarë në dy pjesë, krejt të ndryshme nga njëra tjera. Gruaja jugore e kësaj treve, është gdhendur ndryshe nga bota, por po njëlloj mes vetes, pavarësisht nga cila anë e maleve ndodhesh. Gruaja, e lodhura, e bindura, e trishta, e urta, e afta të mbajë mbi vete peshën e shtëpisë, e harruara për shumë kohë dhe si emër, po thjesht, “e atij”, sa nis e thinjet, kthehet thuajse në mit. Gruaja e këtij harku, e nënshtruara ndaj burrit deri në dhembshuri nëne, kur i bie rasti të mbetet me fëmijët jetim, nuk i hedh sytë nga dera e babait, për ta gjetur atje zgjidhjen, siç bëjnë në fund të fundit, gjithë gratë që mbeten pa një mbështetje. Ajo nuk i qahet askujt, por zë vendin e burrit, pa e ulur kokën, si vetëm ato dhe mban mbi supe nderin e vetë, nderin e burrit të saj që nuk është më, dhe nderin e fëmijëve të saj, veshur nga koka tek këmbët me të zeza. Gruaja e këtij harku, sa nis e thinjet, merr një status të ri. Imazhi i saj vishet me një petk të ri. Në muret e shtëpive në këto anë, mund të mos ketë shumë zbukurime, por kurrë nuk mungon portreti i nënës, i kthyer përjetësisht në gjysmë perëndi. Ikona të përjetshme, varur në muret thuajse pagane të kësaj zone, ku ikonat e vërteta që lidhen me besime fetare, mungojnë. Ndoshta ky është një respekt dhe mirënjohje e vonuar për gratë e kësaj treve, a ndoshta jeta e tyre, ishte një sprovë për t’u kthyer në ikona pas vdekjes, sprovë që me sa duket vetëm gratë e kësaj zone e kapërcejnë. Sepse vetëm ato mbeten në kornizë, varur në mure përjetësisht.

Makina jonë vazhdon të rrëshqasë në rrugën e sapo përfunduar.

Nesër, natyrisht do flitet shumë për gjithçka do të zbulojë kjo rrugë. Do flitet dhe për këtë lumë dhe këtë luginë, pa xhelozi për t’u krahasuar me asnjë luginë tjetër, sepse ky lumë nuk ngjason me asnjë. Ky është lumi më i bukur në botë. Le të tingëllojë si trill kjo që po them, po ky lumë si asnjë në botë, ngjason me një pikë loti, sepse vetëm lotit mund t’i shihet burimi ku rrjedhë dhe ku përfundon. Ky është një lumë-lot i vërtetë!

Nëse del në një majë diku, do të shohësh tutje në horizont, vendin ku nisë Shushica, shtratin ku rrjedhë dhe atje ku mbytet në Vjosë. Në vijim të trillit poetik që ta dikton ai lumë, them se do shikosh dy sytë që e pikojnë atë lumë, një në thellësi të Smokthinës dhe tjetri tutje në Kuç, dhe faqet mbi të cilat rrjedhë. Kjo pamje, ku shihet i gjithë shtegu ku ecën, mund të vërehet vetëm tek loti, ose e thënë ndryshe, me lotin-Shushicë.

Ndërsa makina hyn tek ura e ura e re në afërsi të Gjormit, ai që është në timon, si të kujtohet për diçka, thotë:

-Banorët e kësaj kurore Labërie, janë të dhënë pas armëve, po ata i ruajnë armët  për majëmalet e tyre. Asnjë, absolutisht asnjë, nuk ka rrëmbyer armën për të shkelur në toka të tjera. Arma e tyre nuk ka shkrepur kurrë më larg se shpatet e këtij harkimi lab.

Ndoshta këtu duhet thënë edhe diçka më shumë. Ndoshta kjo temë nuk është aq e thjeshtë për ata që janë kaq të lidhur me armën. Arma si dhe vetë ata që e mbanin në supe, ka qenë e lidhur vetëm me këto shpate. Nuk kanë dalë kurrë nga shpatet e tyre, drejt shpatave tej tyre. E kundërta ka ndodhur vetëm njëherë. Kjo është e dhimbshme, por duhet thënë.

Në dimrin e largët të vitit 1943, pikërisht tek kjo urë, njëmijë e ca vetë, po të të njëjtit gjak, po të njëjtit peizazh malor, si të kësaj ane, erdhën nga thellësia e Veriut. Erdhën të gënjyer pikërisht tek kjo urë. Erdhën me bujë që të nënshtronin banorët e kësaj zone. Erdhën për t’u vetëturpëruar dhe për t’u shënuar po turpërisht në histori, si fakt se ka ndodhë njëherë, po vetëm njëherë që një turmë njerëzish, të nisen me armë drejt një zone ku flitej e njëjta gjuhë si gjuha e tyre. Erdhën me bujë dhe ikën në heshtje, duke shkrepur dy ti tri pushkë në ikje nga Vlora, ashtu në inat e sipër. Në atë vit të largët, u kuptua qartë, se ardhje të tilla, ishin tej natyrës të banorëve të këtyre shpateve, apo dhe të maleve nga vinin të ardhurit. As kishte ndodhur, po as nuk do të ndodhte më. Pesëdhjetë e ca vite më vonë, në një vit po kaq turpërues, u tha se do vinin sërish një turmë njerëzish, andej nga erdhën dikur, madje u tha dhe se u nisën drejt Jugut, për t’u shënuar sërish si turp. Pesëdhjetë e ca vite më parë, kjo gjë ishte një fragment lëndues, ndërsa pesëdhjetë e ca vite më pas, kjo ishte një shaka krejt qesharake. Kur u tha se do vinin sërish, unë them se banorët si të kësaj zone, ashtu dhe ata në Veri, thjesht kanë vënë buzën në gaz, me një buzëqeshje të hidhur dhe kaq. Sepse ata nuk niseshin dhe as këta këtej, nuk i prisnin.

Ai që është në timon dhe që ka kaluar vite të tëra, pikërisht  thellë në Veri, shton:

-Që të thuash se dikush, një çetë a një formacion tjetër, do të vinte andej kundër nesh, është si të thuash se unë do të vija kundër vetes sime. Si kjo dhe ajo zonë, janë pjesë e dashurisë së njëra tjetrës, po shpesh ata që drejtojnë, marrosen dhe e harrojnë këtë gjë.

Ky është një episod që në këto anë është harruar me kohë, madje dhe ajo e pesëdhjetë e sa viteve më pas, thuajse është harruar. I gjithë ky hark Labërie, jo se ka kujtesë të shkurtër, por di se çfarë të mbajë në kujtesë dhe di se çfarë të fshijë nga memoria e tij.

-Ka dhe një keqkuptim për këtë pjesë Labërie që do shkelim sot.

Më tej ai vazhdon:

-Ata që nuk e njohin, janë të pasaktë duke e etiketuar këtë hark si ithtar të këtij apo atij formacioni. Thonë se çfarë do të ndodhë, ata votojnë përherë të majtët. Më keq akoma, janë gati të thonë se kjo zonë i ka dashur të majtët edhe kur ata nuk ishin shfaqur ende.

Ky është paradoksi më i madh që mund të thuhet në lidhje me ndjesitë politike të kësaj zone, ose më saktë është gjykimi më i cektë që mund të bëhet, por të jemi të drejtë. Jo se nuk ndodhë që kjo zonë të votojë më së shumti për të majtën, ose ta themi më prerë, kjo zonë përgjithësisht ka votuar deri sot, për të majtën. Ka votuar me shumicë për të majtët dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Kjo është ajo që dihet dhe që pranohet nga të gjithë, po le ta shohim më në detaje këtë “rreshtim politikë”, të këtyre banorëve që vihen me vështirësi në rresht. Mos kujtoni se do përmendim gjëra që kanë lidhje me realitetin e tyre ekonomik që mund t’i shtyjë drejt të majtës. Mos kujtoni se do themi se ata prisnin një forcë që nxirrte nga gjendja e tyre thellësisht e varfër dhe për këtë gjetën të majtën. Jo, jo nuk është kjo e gjithë e vërteta, sepse ata nuk e shtrijnë lehtësisht dorën, sado keq të ndodhen. Ka dhe një arsye njerëzore thellësisht njerëzore, a thellësisht dhembshurie ndoshta, që ka bërë që nervi politik i kësaj zone, të jetë dallueshëm si i majtë.

Arsyen njerëzore të këtij orientimi, mund ta gjejmë pak më larg se tridhjetë, apo pesëdhjetë vite më parë. Në luftën e fundit, në atë luftë për të cilën ne vazhdojmë të grindemi, nga të gjithë fshatrat e këtij harku, pa përjashtim të gjithë, janë me dhjetëra ata që i mori plumbi i pushtuesit të huaj. Të gjithë ishin jo më shumë se shtatëmbëdhjetë, apo njëzet vjeç. Ata ishin bijë të një lagjeje, a fshati, të shumë e shumë familjeve, madje në shumë raste, shumë nga këta djem të vrarë, ishin vëllezër. Tej bindjeve politike në këtë hark, ka unitet në drejtim të respektit ndaj tyre, pavarësisht rreshtimit politik, të njërit apo tjetrit. Ata janë pjesë e kujtesës, e këngëve, e dhimbjes, e dashurisë së banorëve të saj zone, pavarësisht se çfarë bindjesh kanë. Të majtë apo të djathë, familje të lidhura me Partinë Komuniste apo me Ballin Kombëtar, ithtarë të ish prijësve komunistë që këtej ishin me shumicë, apo të ish prijësve të djathtë që edhe ata në këto anë, ishin po me kaq shumicë, kur vjen puna tek kujtesa për ata që ranë në luftë, pavarësisht se nën komandën e kujt e dhanë jetën, ka një respekt të heshtur dhe të patundur për ta. Të majtë apo të djathë, askush nuk guxon t’i përbaltë, duke mbetur kështu në memorien e tyre si gjë e shenjtë. Duam apo nuk duam, në veçanti lufta e Dytë Botërore, është e ngulitur thellë në ndërgjegjen e kësaj zone. Duam apo nuk duam, ata që u vranë, lanë pas një kujtim të vështirë për t’u përbaltur, ndoshta edhe nga ata që ishin kundër tyre. Kjo veçori, me sa duket u nënvleftësua në një moment kthese.

Pas viteve nëntëdhjetë, kur ndryshuan shumë gjëra, ata që erdhën në pushtet, nuk e kuptuan se vërtetë të shtypurit e regjimit që iku, ndërsa donin shumë e shumë ndryshime, por  edhe pa e shpallur një gjë të tillë, thuajse në heshtje, ata nuk donin që të rënët të përdhoseshin. Nuk donin, jo thjesht se ata shtatëmbëdhjetë vjeçarët e vrarë, nuk ishin ata që i persekutuan më pas, po edhe sepse ata ishin një kujtesë e respektuar, e shtëpisë së tyre, e lagjes së tyre, e fshatit të tyre, e gjithë harkut të tyre.

Të vdekurit kanë kultin e tyre që nuk duhet prekur, por që gabimisht u prekë. Nisur nga ky fakt, u krijua bindja se me të djathtën, të rëntë në luftë, nuk do të vazhdonin të rrinin atje ku ishin, pa i zbritur askush nga piedestali. Si rrjedhojë, ndoshta dhe naivisht, njerëzit e thjeshtë, për arsye njerëzore dhe vetëm njerëzore, besuan se e majta, të paktën nuk do t’i përdhoste ata.

Nëse për pesëdhjetë vite, nuk pati vend në piedestal, për të vrarët e të dy epokave, sot është e gabuar të thuhet se duhen rrëzuar të parët nga piedestali, për të ngritur ata që erdhën më pas. E pra intuita e popullit, veçanërisht e këtij harku, e kuptoi se kishte dhe ca imazhe të kohës që iku që nuk duheshin përbaltur dhe këta ishin ata djem dhe vajza që u vranë në luftë. Tej shumë arsyeve të tjera, edhe ky fakt, krijoi një çarje të padrejtë edhe në bindjet politike. Natyrisht që kjo mund të jetë një arsye periferike, për të shpjeguar botën politike të kësaj zone, por ajo ekziston, dhe si e tillë, nuk duhet anashkaluar, sikur të mos ishte.

Më tej, nëse ndjek ata që merren me sondazhe, apo shpjegim vote të kësaj zone, do të vëresh se i bien shkurt, duke thënë se tradita e majtë, i ka rrënjët tek themelet që hodhën komunistët në këtë zonë gjatë luftës dhe harrojnë të shtojnë se pikërisht këtu gjithçka është kaq e përthyer, si vetë relievi i këtij harku. Kur thonë se këtu hodhi themelet Partia Komuniste, ata harrojnë të shtojnë se pikërisht këtu, hodhi themelet e tij edhe Balli Kombëtar. Ata që duan të justifikojnë majtizmin e kësaj zone, janë të zellshëm të kujtojnë se pikërisht këtu, lindi ai, apo ky eksponent i lartë i Partisë Komuniste dhe harrojnë të shtojnë se pikërisht këtu, madje ja në fshatin, mes të cilit kaluam ca çaste më parë, lindi ky, apo ai eksponent i lartë i Ballit Kombëtar. Nuk besoj se është e nevojshme të thuhen emra, sepse ata janë emra që i përkasin jo vetëm këtij harku Labërie, po edhe shumë më tej se kaq. E në fund, le të themi se ata që flasin, por që kurrë nuk e kanë shkelur dhe nuk e njohin fare temperamentin e banorëve të kësaj zone, nuk ka si ta kuptojnë se jo rrallë ka ndodhur që në inat e sipër këta banorë, i kanë rënë shkurt: Në të sëmës shkoftë vota!

Dhe ka ndodhur vërtet më shumë se njëherë që vota ka shkuar vërtet “në të sëmës”, atje ku ka dashur mallkimi dhe inati i tyre dhe ata nuk janë penduar për këtë, sepse i besojnë edhe inatit të tyre. Ata shpesh besojnë se urtësia ndoshta dhe duhet mënjanuar nga gjykimi.

Udhëtimi përgjatë luginës së lumit të Vlorës, ngjanë si udhëtimi mes një rrugice me kthesa rreth disa lagjeve të një fshati të vetëm, sepse këtu fshatrat janë aq pranë, në dukej nga njeri tjetri. Themi në dukje, sepse në fakt, fshatrat janë secili në një pllajë mali dhe pllajat e maleve sado afër të jenë, janë pllaja malesh. Malet janë si minishtete, të ndarë nga njeri tjetri, por fakti se kur hedh sytë tutje, shikon disa shpate, e në të njëjtën kohë dhe disa fshatra, të krijon idenë se ato janë vazhdime të njëra tjetrës, në një harmoni malesh. Dikur kjo rrugë shkonte deri në Kuç, sepse më tej, në drejtim të skajit ku ndahet rrethi i Vlorës dhe i Tepelenës, ishte i mbyllur. Ishte i mbyllur duke qenë kaq afër. Dukej se dikush kishte ndërtuar një mur mes asaj lugine aq të ngushtë që të çonte në pikën më të artë të harkut të Labërisë, ku hyjnë Gusmari, Rexhini, Nivica, Progonati dhe Lekdushi.

Tani gjithçka ka ndryshuar. Në një udhë të asfaltuar, tipike malore, vetëm pas disa minutash nga Kuçi, të shfaqet një tabelë si e vendosur rastësisht që tregon drejtimin për në Nivicë dhe Progonat.

Rruga më tej, harkon tamam si hark vetullash të holla, në ballë malesh. Është një pllajë e bukur, e cila pak metra më tej, rrëzohet në buzë honesh të pafundme që zgjaten drejt lindjes. Peizazhi që hapet para është fantastik. Natyra ka derdhë gjithë talentin e vetë, ndërsa dora e njeriut nuk ka qenë kaq bujare, për t’u harmonizuar me këtë peizazh.

Është një mesditë e djersitur, e heshtur, ku një djalë i ri të gjendet pranë dhe të pyet nëse dëshironi ta gdhini atë natë aty në Nivicë, ndërsa tre-katër burra më tej hedhin sytë me indiferentizëm në drejtim të makinës sonë. Ne kemi ardhur nga pas maleve dhe kjo nuk përbën  asnjë çudi, sepse kushdo që vjen këtu, natyrisht që do vijë nga pas malet.

***

Me tej një grup i huaj, me sa duket nordik, mundohen të deshifrojnë germat fshatit, të shkruara në një tabelë të vogël. Një emër që duket se nuk shkon me atë terren thellësisht të ashpër. Një emër vërtet kaq i bukur. Rexhinë! Ky nuk është i vetmi rast në këto vendbanimi mes reshë, që një vajzë, a grua, i jep emrin e saj vendit ku ka jetuar. E natyrisht duhet të pranojmë që nëse një fshat, një mentalitet tërësisht mashkullor, të pranojë të njehsohet me emrin e një vajze, mund ta emërtojmë si të duam, po kurrsesi mungesë civilizimi e delikatese. Kur u nisëm, atje në hyrje na përcolli po një Vajzë, më saktë një fshat-Vajzë. Edhe atje matanë maleve, kishte qenë një vajzë e bukur, një vajzë pa emër, e cila i kishte dhënë nurin e saj atij fshati, ndërsa këtu gjërat janë më konkrete. Ndryshe nga ajo vajzë-Vajzë atje matanë, vajza e këtushme, kishte një emër: Rexhinë! Thonë se ajo ishte martuar, ja këtu dhe më pas, kjo hapësirë mori emrin e saj. Më tej akoma, thonë se ajo kishte lindur aq djem sa janë fshatrat përreth dhe emrat e djemve të saj, u kishin dhënë emër edhe fshatrave. Sot të gjithë fshatrat e këtushëm, thirren me emrat e djemve të saj, duke u shtruar ndonjë prapashtesë. Rexhina, ajo e bukura, e kthyera në nënë, nuk kishte dashur t’i largonte djemtë nga vetja, duke i mbajtur pranë e pranë, edhe pse e dinte se këtu gjithçka ishte kaq e ashpër dhe ndoshta bijtë e saj do ta kishin të vështirë jetën.

Po ata kishin rezistuar, ishin rritur, ishin shtuar në numër dhe kishin krijuar secili një fshat.

Ulemi në hyrje të lokalin të parë, në ballë të të cilit shkruhet emri i fshatit. Një lokal i thjesht, me pesë-gjashtë shkallë nga niveli i tokës, sikur të mos mjaftonte ajo lartësi ku ishte ngritur. Në sheshin e vogël para tij, ishte hapur një grumbull rigoni gjysmë i tharë, ndërsa në derë, një grua, veshur e tëra me të zeza, me një buzëqeshje mirësie të trishtë në fytyrë. Ajo rri e heshtur fillimisht, më pas, si shumica e grave të Jugut, afrohet përzemërsisht me një tabaka në dorë dhe pasi merr porosinë, largohet po në heshtje. Hyj një çast brenda lokalit, i cili ngjason i butë dhe i ngrohtë, thuajse me një shtëpi, ku  e zonja e tij, duket si në siklet që fund të shërbimit duhet të marr paret.Para se të iknim, gruaja vë buzën në gaz miqësisht dhe si për të larguar sikletin e saj, na ofron secilit nga një tufë rigoni, ndërsa na vështron në sy, si të dojë të thotë se nëse duam mund të na dhurojë më shumë. Mund ta merrni dhe të gjithë rigonin, dukej sikur thoshin fisnikërisht sytë e saj. Ata sy që na ndoqën me po me aq mirësi, ndërsa zbrisnim shkallët e pjerrëta.

Me këtë fragment të harkut të Labërisë, duket sot po ndodhë diçka e çuditshme. Diçka e bukur dhe e ndrojtur njëkohësisht. E mbyllur deri dje, e mbyllur deri në burgim, të mësuar me shpatet e egra të maleve dhe ato hone të thella, të harruar nga bota dhe të etur për të ikur sa më parë që andej, banorët e saj, ende nuk e kanë kuptuar se tej këtij izolimi total, po zbulohen kaq vlera të bukura natyre, të cilat deri dje, thuajse nuk i njihte askush. Zotër të këtyre maleve, ashtu si zotërit e një kulle të bukur, ndoshta kanë manifestuar dhe një lloj ndrojtje për t’i ftuar të tjerët tej harkut të tyre, të vizitonin kullën e tyre. Ata sot ndodhen në kufirin e ndrojtjes së një jete të mbyllur dhe ftesës që atje mund të shkojë kushdo. Ata janë në momenti që krenaria e tyre të bindet se ka dhe shumë gjëra për të treguar dhe të shpalos përmasat e këtij peizazhi të panjohur.

Në një tjetër lokal, pak më poshtë, dikush që do takonim orë më pas, do na tregonte një ndodhi me dikë që kishte vizituar ato anë, shumë më parë, atëherë kur askujt nuk i shkonte në mendje të vinte këtu. Ishte një udhëtar që rastësia e kishin çuar atje.

Ju jeni shumë krenarë, kishte thënë ai. Krenarë deri në pakuptim. Ju dhe kur bisedoni, flisni me zë të lartë, sikur doni të thoni, vuri veshin kësaj që them se ka shumë rëndësi dhe gjëra të tilla nuk do t’i dëgjosh askund. Ju jeni aq këmbëngulës në atë që thoni.

Zëri juaj tingëllon si jehonat që vijnë nga humnerat, brenda të cilave ju me sa duket, keni vendosur të ruani sekretet e mendimeve tuaja. Ju jetoni në këtë skaj të veçuar të botës, larg të gjithëve dhe kur ju pyesin se cilin keni më afër, ju gjithë mburrje thoni se na mjafton vetja jonë. Ju nuk keni rrugë, ju nuk keni urbanizim, ju jetoni larg njeri tjetrin, aq sa dhe shpateve u keni dhënë emrin e fisit që jeton atje. Ja ti që fletë me mua më thuaj ku e ke shpatin që mban emrin tënd? Gratë tuaja zbukurojnë veshjet me lloj-lloj lule mali, po ju mungojnë parfumet e shtrenjta. Ju mungojnë kinematë, shfaqjet, madje dhe televizionet kapin vetëm ndonjë stacion të vetmuar dhe krejt të mërzitshëm. Ju dhe qiellin e keni me kufizim, ndërsa këmbët në tokë duhet t’i hidhni me kujdes se humbisni në ndonjë hon. Ju krenoheni, krenoheni pa fund….Dhe tani më thuaj, cilat janë ato për të cilat ju duhet të krenoheni realisht? Ja këtë nuk e gjej dot.

Tjetri përball tij, kishte tundur kokën, ndoshta dhe me pak trishtim, po ironik me shumicë, duke i thënë se ja këto që sapo përmende, janë arsyet e vërteta të krenarisë sonë. Kuptohet që nuk ishin marr vesh. Secili kishte rrudhur buzët, duke ruajtur bindjet e tij.

Këtu jemi në pikën më të lartë të harkut të panjohur të Labërisë. Ulur përballë njeri tjetrit të katër, ndoshta secili i zhytur në mendimet e veta, në një lartësi mbresëlënëse.

Kanioni i madh, pak metra më tej, duket si një zgafellë e frikshme. Nocioni i kanioneve është më i gjerë se ai zgjatim i pafund humnere. Këtu në çdo pozicion të jesh, mund të shikosh një kanion të ri, madje edhe po ta shikosh nga qielli, e hapësira ku jemi ulur, e gjithë Nivica e më tej, ngjason një kanioni gjigand.

-Atje, pas asaj qafe, në drejtim të Jugut, jam unë!,-thotë njëra nga bashkudhëtaret tona, thuajse me gëzim, duke ngritur zërin, si të ishte kujtuar për një gjë shumë të rëndësishme, dhe më tej, vazhdon:

-Jam ngjitur sa herë ja deri atje tej në horizont, nisur nga shtëpia ime e vjetër, pa guxuar t’i hedh sytë këtej, sepse më është dukur botë tjetër, që nuk kishte asnjë lidhje me atë ku jetoja unë. E largët dhe e frikshme. Kam kaluar një rrugë ngushtë, një rrëpirë, ca burime e pastaj, ca pyje me arra dhe qershi, kam ndaluar në një qafë, mbi një fshat me emër të çuditshëm. Që nga ajo qafë, terreni këtej, dukej si një humnerë e madhe. Nuk kam guxuar të eci më tej, sepse ajo që shpalosej ishte kaq e largët, thuajse e paarritshme.

Ndoshta e befasuar nga këndi në të cilin e vështron vendlindjen e saj, a ndoshta nga dëshira që të shkoj drejt saj, nga një udhë ku nuk ka shkelur kurrë, ajo vazhdon rrëfimin e saj:

-Nuk thonë kot se nëse i shikon nga fundi, të gjitha majat e maleve të duken të largëta dhe madhështore, ndërsa kur ngjitesh në majë të tyre, me një zgjatje dore mund t’i prekësh shpatet e tyre. Tani më duket se unë jam dhe andej nga matanë qafës dhe pak këtej. Në darkë,-shtonë ajo me humor,-unë do nisem drejt asaj qafe dhe do zbres në origjinën time. Dua të jem atje pa nisur nata.

Dhe e mbyllë duke qeshur:

-Ju po deshët mos më ndiqni. Unë udhën time e di vetë. Unë ju kam ftuar për një kafe matanë maleve. Dhe kur të arrij atje pas majave, do tregoj se unë, thjesht isha tek komshinjtë mi.

Mbi Nivicë ka rënë mbrëmja, një mbrëmje që përthyet si një çarçaf gri, duke mbuluar atë terren aq të përthyer.

Tej në një cep, shpaloset një flamur shqiptar dhe një i BE. Frynë një fllad që duke sikur gulçon, deri sa prekë ata dy flamur. Me sa duket ai fllad merr me vete jehonën e barkut të thellë të kanioneve, deri sa vjen si pëshpërimë deri tek ne.

E ndërsa, pak çaste më parë, njëra nga bashkudhëtaret foli për një mall të vjetër, duhet thënë se ky nuk ishte malli më i vjetri, sepse bashkudhëtarja tjetër, fletë për një mall edhe më të hershëm.

Ajo afrohet pranë një sheshi të vogël, aq sa mund të quhet shesh, një sipërfaqe toke në terrenin aspak të sheshtë të Nivicës. Qëndron para një grumbulli dheu e rrënojash, prek me dorë gurët gjithë myshk, lëvizë një pllakë nga vendi, si të ishte duke kërkuar diçka poshtë saj, pastron vendin përreth, me një dhembshuri të çuditshme, dhe si të fliste me vete, thotë në një mënyrë po kaq të çuditshme dhe të papritur:

-Nuk është çudi që pesëqind vite më parë, ky gur i vogël, ky rrip toke e gjithçka shikoni përreth, të ketë lidhje me mua. Nuk është çudi që kjo të ketë qenë shtëpia ime. Ajo ka qenë e ngritur këtu buzë kaninonit. Unë besoj se dritaren do ta ketë pasur këtej nga lindja, sepse gjyshi im, duke dashur të përshëndetet me diellin i pari, e kishte ndërtuar shtëpinë me dritare nga lindja e diellit. Dera do të ketë qenë nga ana këtej, dhe këtu në cep ka qenë një arrë e moçme. Një arrë poshtë degëve të cilës jam rritur unë.

Më pas merr një gurë në dorë. Një gur gri, mbështjellë me myshk dhe harresë. Një gurë që duket si qenie e gjallë. Hynë në një si portë gurësh e shkurresh, apo të paktën kështu i duket asaj dhe bëhet gati të thërrasë një emër aty në portë. E thotë atë emër me zë të lartë, dhe shikon drejt nesh, si do të dojë të na kërkoj falje që pas asaj udhe të gjatë, ne e meritonim një portë të hapur, po ajo portë nuk po hapej. Me sa duket askush nuk po na pret dhe ajo ndihet keq. Thërret një emër që nuk do ta harronte kurrë, si të dojë të pyes nëse ende gjendet brenda ai, stërgjyshi i saj. Aty je!? Hapma portën! Jam unë! Thotë atë emër që përmendë legjenda, atë që iku këtej i pari. Gurët heshtin. Heshtë edhe pema e përkulur dhe gjysmë e tharë, pak më tej. Heshtë edhe rrëpira pa ujë që zgjatet drejtë kanionit, ku me sa duket derdhet harbimi i dimrit, kur nisin shirat. E vetmja gjë që flet dhe që me sa duket e kupton gjuhën e saj, është ai fllad i lehtë mbrëmjeje. Nuk dihet nëse ajo jehonë ka dhe zërin e stërgjyshit të saj. Nuk dihet nëse ai i tha se jam këtu, apo diku më tej. Nuk dihet nëse ai i tha se jam vetëm andej nga vjen ti dhe mos u beso legjendave. Nuk dihet nëse ajo vërtet ndjeu diçka të përbashkët me gjuhën gjakut të saj, apo zëri i saj humbi tutje në gjirin e zbërthyer të peizazhit përreth. Nuk dihet nëse ajo gjeti grimca nga fëmijëria e stërgjyshërve të saj, apo thjesht nga legjendat që kishte dëgjuar, ndërtoi një lidhje të largët me atë pjesë Labërie. Nuk dihet nëse në një bregore pak më tej, që ngjante si varrezë e harruar, ajo ndjeu se atje nën barin, thuajse të tharë, flinin të parët e saj. Nuk dihet. Më pas sytë e saj u mbushën me lot, ndërsa guri u rrokullis nga dora e saj, si një kujtim i trishtë që i përket një kohe tjetër që nuk do kthehej më.

Një burrë i imtë përballë saj, ndërsa thithë i etur cigaren thuajse në përfundim, sa mëson të fshehtën e saj, shton, jo pa dhimbje:

-Ndoshta ke të drejtë! Këtej nga këto anë, vetëm kanë ikur. Ka nga ata që kanë ikur dhe nuk janë kthyer më. Po edhe pse kanë ikur gjatë qindra e qindra viteve, jeta këtu nuk është shuar.

Tej bujtinës ku do ta kalojmë natën, jo shumë larg buzës të humnerës së madhe të kanionit, në të dy anët e asaj çarje të madhe, një grusht yjesh të bukur, duken sikur nga çasti në çast do të zbresin poshtë e do të ndalin tej portës.

Kjo mbrëmje mund të shtyhet vetëm me një gotë raki dhe një iso për qejf, thotë i zoti i bujtinës. Natë poetike do t’i thosha, thjesht për ta ngacmuar, a si për të dashur që pikërisht në këtë skaj të largët të botës, ku yjet duken aq pranë, sa thuajse të ulen në cep të tavolinës, biseda duhet të përfundojë duke folur për poezinë.

Duket si paradoksale ta mbyllësh natën, këtu në harkun e parë të Labërisë, duke folur për poezinë, a për letërsinë në përgjithësi, po në fakt nuk është aspak kështu. Poezia në veçanti, apo dhe mënyra e të komunikuarit, shpesh në mënyrë të vargëzuar, janë dukuri që nuk mund të anashkalohen në këtë hark Labërie. Ndezja e isos labe, shumë herë me vargje të krijuara në çast, i bënë banorët e këtij harku, poetë të lindur. Kjo do të ishte ajo që thoshim në përgjithësi, por dhe në veçanti, këto treva kanë qenë dhe djep i lindjes së poezisë moderne.

Ky hark Labërie, ka nxjerrë një numër poetësh që janë ndjerë edhe tej kësaj treve, po si dhe në aspektin politik, për të cilin folëm më lart, ata që nuk e njohin sa duhet këtë temë, ashtu si nuk njohin dhe shumë gjëra të këtyre anëve, për të justifikuar dhe mosnjohjen e tyre ndoshta, mjaftohen me fakte shumë sipërfaqësore. Kështu, kur duan të flasin për poezinë, a letërsinë e këtij harku, ngrenë supet si për të thënë se ajo, ashtu si politika, ishte dogmatike. Dhe për këtë, mjaftohen me faktin se pikërisht matanë malit, lindi një nga themeluesit e Lidhjes së Palavdishme të Shkrimtarëve, dhe me kaq duket se duan ta mbyllin historinë poetike të kësaj zone. Kjo është sërish mosnjohje. Nëse ata që merren me tema poetike, duan ta mbyllin bisedën, duke folur për dikë që i shërbeu regjimit që iku, nuk duhet të harrojnë të përmendin, se jo shumë kilometra më tej, në një shpat tjetër, lindi dhe një nga gurët e çmuar të poezisë së vërtetë shqipe. E pra, nëse i pari, për të tjera arsye, rrinte i ulur në kolltukun e Lidhjes, i dyti, po për të tjera arsye, rrinte tej portës së saj, me atë buzëqeshjen e tij ironike, ironike deri në cinizëm, sikur donte të vinte në lojë letërsinë që bëhej brenda mureve të asaj Lidhje Shkrimtarësh.

Meqenëse jemi në kulmin e harkut të parë të Labërisë, le të përmendnim se pikërisht nga ky hark, lindën pesë poetë. Poetë të bukur, në kuptimin e plotë të fjalës.

I zoti i bujtinës, shton se para pak javësh vdiq Agim Shehu. Ai ka lindur disa kilometra më tej, po vdiq i trishtuar, larg Labërisë së tij. Këtyre anëve, morën udhë edhe katër poetë të tjerë. Pikërisht nga këtu nisën edhe të ëmblit dhe të trishtët, Qazim Shemaj, Petrit Rukaj, Sadik Bejko dhe Ilirijan Zhupa. Të pesë këta poetë, shkruan në dy kohët, po të pesë i shpëtuan dogmatizmit të realizmit socialist. Të pestë vijnë nga para vitet nëntëdhjetë dhe të pestë, nuk i përbalti dot realizimi socialist. Ata bën poezi të bukur në të dy kohët.

Nesër do ikim. Gjithë udhëtimi ynë do të jetë vetëm zbritje nëpër shkallët e harkut të parë të shpirtit të Labërisë, poshtë për në Salari, Sinanaj, Sevaster, Ploçë dhe Vajzë. Rrugëtimi do mbyllet atje ku e nisëm, tek qafa e Dushkut. Do të tingëllonte jo shumë e saktë të thoshin se udhëtuam në një terren të bukur, të mbështjellë me re. Më e drejtë do të ishte të thoshim se ne udhëtuam në një terren krejt të panjohur. Të panjohur dhe për ju që jeni harkuar në Labërinë e tri urave, aje poshtë ku Labëria është shumë më e zbehtë se sa Labëria që prekëm ne. Për më tepër, ky terren është krejt i panjohur për ju që larg urave e që flisni nga studiot dhe gazetat. Mos hezitoni ta vizitoni këtë harkim Labërie që nisë aty tek Qafa e Dushkut! Nisuni pa pyetur më tej, nëse është e bukur, apo jo. Mos pyesni nëse ia vlen ta merrni atë udhëtim, sepse këto lloj kuriozitetesh nuk janë në natyrën e udhëtarëve të dashuruar pas udhëtimit. Mos pyesni, ku do flini, a për natyrën e banorëve të asaj zone. Thjesht nisuni! Për t’i dhënë imagjinatës suaj edhe një trill më aventuresk, sillni në kujtesë se dhe udhëtarët e pesëqind e ca viteve më parë, kur u nisën nga Evropa, nuk kishin si qëllim të gjenin vende të bukura, sepse bukurinë e kishte me shumicë kontinenti nga ku u nisën. Ata u nisën thjesht që të gjenin vende të reja. Natyrisht ju nuk do kaloni dete dhe oqeane, si ata. Ju nuk do takoni njerëz që flasin një gjuhë që nuk e kuptoni. Ju nuk do ndesheni në hapësira pafund toke. Udhëtimi juaj, do jetë një endje mes shtëllungash resh dhe shpatesh, ku do t’i gjeni të gjitha. Do të gjeni edhe male, edhe lumenj, edhe burime, edhe shpate dhe natyrisht edhe ca banorë krejt të veçantë. Nisuni pra, thjesht me pikësynimin që do shikoni një “tokë të re”. Për të tjerat flasim kur të ktheheni.

About Post Author