Sonte…!Eduart Veli


SONTE…!

Sonte atje lart tek yjet, dua të fle unë.

Kokën si në jastëk, tek Hëna e mbështeta.

I vetëm pa ty pranë, nuk më vinte gjumë.

Mes detit të pafund të yjeve të gjeta!

Në pyllin e madh të yjeve të ndoqa me vrap.

Nga një yll tek tjetri ,ti hidheshe me një kërcim

Qeshje me mua e më thoje:”Hajde eja më kap”

Mes yjesh të rrëmbeva ,një të zjarrtë përqafim!

Yjet si dëshmitarë,të heshtur,rrinin e vështronin

Në miliarda vjet ata kurrë ,nuk janë përqafuar.

Oh, sa e ëmbël është puthja duket sikur thonin.!

Dhe njëri tjetrin me mall shikonin, si të hutuar!

Atje lart tek yjet si të çmendur ,bëmë dashuri.

Dashuri mes yjesh, kush nuk do të dëshironte!

Ishim krejt të vetëm,mes yjesh, s’na pa asnjeri.

Hëna, e dashura e diellit,këngë na këndonte !

I shëtitëm gjithë yjet me radhë,deri sa lindi dita.

Yjet si shokë të mirë, me fjalë zemre na uronin.

Në Tokë me flatëra dashurie ,na solli Afërdita !

Lindi një ditë e re për ne, yjet tani po pushonin!