Sot mos më ki mua në mendje…Leonard Pipa


Sot mos më ki mua në mendje,

Inat mos mbaj stoli argjendi,

Jam shumë i lodhur për këtë endje,

Të jemi bashkë tek ai vendi.

Sot mos u flladit mendimesh,

Se tani s’jam zambaku yt i ndritur,

Si letra zverdhur në sirtar kujtimesh,

Aroma e dardhës më ka ikur.

Sot mos u merakos për mua,

Në lojë petalesh “është gjallë, s’është gjallë”,

Zemër mbërthyer në përrua,

Çapitem mbrëmjeve në ndonjë përrallë.

Sot mos më mundo sërisht,

Se po të shoh hënës tek harku,

Shpirti më dridhet si njomishtë,

Se çarku yt ma zuri, çarku!