“Sovranistët e leshit”-Nga Shaban Murati


Nga Shaban Murati

A i ka thënë kryeministrit të Shqipërisë ndonjë këshilltar jugosllav, nga ata që mban me tepricë rreth vetes, se Riçard Grenell, ortaku i Jared Kushnerit, që do marrin sëbashku nga kryeministri ishullin e Sazanit dhe do investojnë atje, (disa thonë paret e arabëve, disa thonë paret e Serbisë), paguhet nga Serbia 100 mijë dollarë në muaj, sipas analistit dhe historianit të njohur serb Dushan Janjic? Nuk di nëse i kanë thënë kryeministrit të zënë gjithë ditën me podcaste, me fb dhe me rrjete sociale, se presidenti i Serbisë Vuçiç e ka dekoruar Grenellin në 25 tetor 2023 me “Urdhërin e Flamurit Serb” të klasit të parë, për shërbime të posaçme ndaj Serbisë.

A i kanë thënë kryeministrit të Shqipërisë këshilltarët e tij ligjorë se Kushtetuta e detyron atë që të marrë lejen e parlamentit para se të shprehë gatishmërinë publike për t’i dorëzuar sovranitetin dhe kontrollin e një ishulli të tërë shqiptar dy biznesmenëve të huaj me lidhje okulte në Serbi, pavarësisht se çfarë pasaporte mbajnë?

Po sovranistët e leshit të opozitës, që ngriten stuhi artificiale protestash në gotë për një kamp të përkohshëm refugjatësh të përkohshëm afrikanë në Shëngjin, si nuk u ngritën dhe nuk iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për shkeljen e sovranitetit nga kryeministri për gatishmërinë e shprehur publike për dorëzimin e ishullit te Sazanit, ishullit më të madh strategjik të Shqipërisë? Apo mikut të tyre dhe të Serbisë janë gati t’i falin gjysmën e Shqipërisë vetëm t’u heqë ndonjë njollë të paheqëshme mëkatesh korrupsioni në qeverisje?

Për udhëheqësit apatridë të qeverisë dhe të opozitës shqiptare sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit nuk vlen një lek.