Spaç…
Tregomë ç’të duash, nuk kam më lot,
Po prapë s’m’i çlodhe dot mendimet.
Kujtimi yt Zotin s’ma ndot
E as m’i nxit në shpirt mallkimet.
Ndonëse më ngjan një tjetër Ferr,
Pa Ugolin e pa Ruxher*.
Spaç…
Një rreze dielli si prangë e zjarrtë,
Poeti ndrydh një shkulm prej vreri.
Qielli më ngjan – rrasë e acartë,
Mali – njëlloj kupolë bunkeri.
E prapë më dukesh tjetër Ferr,
S’ka Ugolin, s’ka as Ruxher.
Me Danten erdhëm dorë më dorë
E hëngrëm bukë me vesë pranvere.
Mbi ca gërmadha vumë kurorë,
Po qeshjet ngrinë edhe kësaj here.
Se na u duke Ferr mbi Ferr
Edhe pse s’kish Kont e Ruxher.
Djall…
Hëngre tët bir si të ish mëshqerë,
Ndaj duan të t’i fshijnë dhe shkronjat.
Po qumësht’ i nënës kurrë s’do t’shterë,
Në mur, pa yll, gdhënden shqiponjat.
E prapë më ngjan Ferr përmbi Ferr,
Ku qenkan bashkë Kont e Ruxher,
Që hanë vetveten këtë herë.
