Spasse Thanasi:Akademiku “ I heshtur”i punës krijuese


AKADEMIKU “ I HESHTUR” I PUNËS KRIJUESE
Në studimet letrare në mëse 40 vjet, Isak Shema i Kosovës na sjell një pasuri dhe larmi bibliografike që përcjell nëpër kohë individualitete letrare dhe vepra artistike të gjuhës shqipe. Hulumtimet, studimet , ligjeratat dhe botimet intensive të tij në kohë dhe hapësirë njerëzore, na japin një njohje tërësore të letërsisë bashkëkohore e në vecanti të autoreve të traditës krijuese shqiptare, duke filluar nga Rilindasit e mëdhenj…
…………………………NGA SPASSE THANASI
Ne foto : Isak Shema, Spasse Thanasi e Prend Buzhala ne Prishtine, 2010
Si një mediator i specializuar që në vitet 1970 me hulumtimet e veta letrare, i spikatur në ngrehinën e arsimit dhe shkencës shqiptare si një ndër studentët dhe ndër profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, i pasur dhe i larmishëm në ndërtimin e historive letrare me jetën dhe krijimtarinë e autorëve të letërsisë shqipe në një konceptim shkencor dhe historiografik me të dhëna të posacme bibliografike, ISAK SHEMA ka përgatitur në auditoret e Universitetit të Prishtinës 40 kontigjente studentësh nga të gjitha anët e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi. Ai mbetet një emër i nderuar i profesoratit shqiptar dhe një figurë jetëgjatë e mjaftë vepruese në historinë e letërsisë shqipe në mese 50 vjet.
Me llojet e studimeve dhe prurjet e literaturës bashkëkohore të panjohur në shqip, që është vjelë nga botimet frënge, angleze, amerikane e italiane, me sintezën letrare dhe projektet e mëdha në disa vëllime letrare me periodizime të epokave kulturore, akademiku i Kosovës Isak Shema është në krye të avangardës shkencore në letërsi me mbi 12 tekste teorike dhe letrare të botuara që prej viteve 1950 të shekullit të 20-të e deri në vitin 2008. Ai shquhet si një bashkëpunëtor dhe bashkëautor intensive me Dr. Ibrahim Rugova që më 1976, kur ata botuan librin : “ Bibliografi e kritikës letrare shqiptare ( 1944 – 1974)”… Ai evidentohet si një autor me të dhëna të shumta bibliografike për jetën dhe veprën e shkrimtarëve shqiptarë si Faik Konica, Sterjo Spasse, Hivzi Sulejmani, Naum Prifti dhe posacarisht të Josip Relës, Hasan Mekulit, Latif Berishës etj. Ai ka shkruar për historinë e krijimit të romaneve të Jakov Xoxës, për krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë, si fitues i cmimit “The Man Booker Internacional Prize 2005”; për pamfletet e Mitrush Kutelit; për veprën e Naim Frashërit në vargje; për Eqerem Cabej; për Lasgush Poradecin etj,etj… Në këtë mënyrë ai shkëlqen me vetëdijen e tij racionale për kohën, për krijimtarinë e letërsisë dhe për zhvillimin e shkencës së kritikës letrare, duke dhënë një shembull professional dhe shkencor në historiografinë shqiptare të shekullit të 20-të.

Biograf me koherencë profesionale e shkencore
Prof.Dr. Isak Shema
Cfarë jep ky autor sintetik dhe analitik i nivelit evropian e botëror në veprën voluminoze “Studime Letrare ( 2008)”, botuar në Prishtinë ?
Cfarë sjell ai në historinë e bibliografisë kombëtare shqiptare ?
Lëvizjet letrare ai i paraqet ashtu sic janë zhvilluar në të vërtetë dhe sjell jetën letrare ashtu siç është shfaqur në manifestet letrare, në kritikën letrare apo dhe në interpretimet e vetë krijuesve seriozë letrarë. Asgjë nuk ndryshon nga e vërteta, nga ndjenja e shfaqur dhe e akumuluar prej autorëve të letërsisë. Me një model më vete, me studime të vazhdueshme plot“receta analitike” të gjendjeve dhe dukurive letrare,ai sjell në bibliografinë profesionale e shkencore standarte metodologjike tepër të avancuara dhe një përfshirje universal në botimet enciklopedike të veprave shqipe. Ai është një “gjurmë” e shumëanshme e traditës së letërsisë shqiptare, duke sjellë tabela kronologjike të autorëve dhe shënime përmbledhëse në fushën e studimeve dhe të mendimit kritik letrar të kohës. Kështu ai është pjesëmarrës aktiv në projektin e madh të “Historisë së Letërsisë Shqiptare” ku ndërtohen synimet e sotme shkencore në fushën e studimeve albanologjike. “ Lënda kryesore” e studimeve të tij është një sintezë historiko-shkencore dhe një program estetik letrar, që lidhen me cështjet e vecanta të krijimtarisë aktuale dhe zhvillimin e përgjithshëm kulturor.
Përshkrime të letërsisë së traditës shqiptare
Me sensin e novatorizmit dhe simbolikën në veprat artistike, Isak Shema vështron shekuj të tërë letrarë të letërsisë shqipe; analizon lëvizjet letrare në letërsinë shqiptare të shekullit të 20-të ku ndalet në epokën e Rilindjes me shkrimtarët : Jeronim De Rada, Zef Serembe, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Gavril Dara I Riu, Andon Zako Cajupi, Pashko Vasa, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi etj; në vizionin poetik e kulturor të shkrimtarëve të shquar si Aleks Stavre Drenova, Faik Konica, Gjergj Fishtae Lasgush Poradeci, krijues këta që sjellin transformime të rëndësishme ideore, tematike dhe stilistike në lëvizjen letrare; në brezin e shkrimtarëve të letërsisë së viteve 1930 në të cilin bëjnë pjesë : Nonda Bulka, Migjeni, Sterjo Spasse, Petro Marko, Dhimitër S. Shuteriqi, Andrea Varfi Shefqet Musaraj,Aleks Caci,Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Esad Mekuli etj me veprimtari të pasur publicistike dhe promovim të lëvizjes letrare novatore “drejtime të reja letrare”. Duke përkujtuar Faik Konicën sjell krenari të ligjshme se “është shqiptari më erodit i Evropës” dhe “ encikopedisti i lëvizës i kohës”.Duke thënë fjalën morale, shpirtërore dhe artistike për Gjergj Fishtën ai e ngre në piedestalin më të lartë, e quan “gjuhë hyjnore” e “dhuratë e shtrenjtë” dhe konkludon se “ për cdo brez, arti letrar i Gjergj Fishtës ka siguruar risinë e përhershme”…Duke dhënë kronologjinë e jetës së Migjenit, këtij krijuesi vizionesh të ndritura, pohon një krenari tjetër adhuruese në rrjedhat letrare shqiptare se “me poezinë e vargjeve të lira,MIGJENI u bë krijues i rrallë, një poet social me kurajo të re dhe një mendimtar me trashëgimi të cmuar”…Duke përshkruar jetëshkrimin e Mitrush Kutelit, që ka jetuar,studjuar e krijuar në Rumani, ai e portretizon si një lloj i vecantë i krijimtarisë letrare, sidomos me pamfletet e humorit e të satirës “ edhe unë jam patriot”, “Pesë kreshnikë iliro- romake”, “Gomarët e Vezuvit”, “Keni mëshirë, jam i pasur”, “telegramet e urimxhinjve”etj, që i skaliti me gjuhën e artë shqipe…Duke dhënë poezinë e frymëzuar të Lasgush Poradecit,poetit tonë kombëtar, ai krijon një ndjenjë të bukur artistike në shpirtë sic këndon bilbili dhe thotë se :“Lasgushi e ka pohuar poezinë si “divine(hyjnore),prandaj kur shkruan poezi duhet të kesh shpirtin e shenjtëruar !…Cdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë cdo varg i saj dhe cdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir !”…
⦁ Shtigjet e krijimtarisë së sotme shqiptare
E nis afirmimin e krijimtarisë së lirë me “shtigjet e krijimtarisë poetike të Esad Mekulit”, që është një shkrimtar veteran i letërsisë bashkëkohore shqiptare, një poet i talentuar dhe një krijues i dashur e i adhuruar nga të gjitha shtresat e lexuesve. Një shkrimtar tjetër veteran, në aspektin e përmbajtjes së vlerave artistike, me një krijimtari të llojllojshme në prozën tregimtare dhe në fushën e romanit, është Sterjo Spasse, që ka zënë një vend të merituar në historinë e letërsisë shqiptare. Ishte ndër të parët nga krahina e Prespës që kishte mbaruar shkollën fillore dhe hynte në shkollë të mesme,sic ishte shkolla “Normale” e Elbasanit më 1932.
Libri “Studime Letrare” jep gjurmë të jetës dhe historisë interesante të krijimit në romanin “Njerezit I – II” të Hivzi Sulejmanit. Rrëfimtari është aktiv dhe vrojtues i vemendshëm ndaj kohës ku kalonte vetminë në rrjedhat e saj të pashmangshme… Për herë të parë Isak Shema jep të plotë historinë e krijimit të romaneve të Jakov Xoxës, një shkrimtar i njohur i letërsisë së sotme shqiptare. I interesuar për të krijuar romane, ai e gjeti shpejt “dhomën e lirë” në muzeun e Apollonisë ku kishte afër fshatrat rreth kënetës së Hoxharrës…Romani i parë ishte “Legjenda e lumit të vdekur”, pastaj krijoi “iksin e njohur” romantesk ku do të bënin pjesë: “Juga e bardhë”, “Ari i zi”, “ Dielli lind nga malet”, “Lumi i vdekur” dhe “Lulja e kripës”. Nga të gjitha këto vepra shkrimtari Jakov Xoxa realizoi vetëm romanet “Lumi i vdekur” (1965), “Juga e bardhe” ( 1971) dhe “Lulja e kripës” (1980). Dy romanet e tjera “Ari i zi” dhe “Dielli lind nga malet” për shkak të vdekjes së hershme të shkrimtarit, mbetën të parealizuara…
Universit krijues të Ismail Kadaresë, që është fitues i cmimit “The Man Booker Internacional Prize 2005”, libri shumëfaqësh “Studime Letrare” i Isak Shemës i jep një vlerësim të posacëm : “ Ismail Kadare është një shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë, të historisë, pasionit,folklorit,politikës dhe katastrofat e saj. Ai është një shkrimtar universal me një traditë narracioni që e ka origjinën që nga Homeri”. Botimi i serisë së veprave letrare të shkrimtarit Ismail Kadare në versionin përfundimtar (shqip dhe frëngjisht) nga Shtëpia Botuese “ Fayard” e Parisit, është projekti i madh e i rëndësishëm i cili realizohet me përkushtim të vecantë të autorit, të përkthyesve, të bashkëpunëtorëve të tjerë dhe të botuesit. Me këtë botim specifik “për herë të parë lexuesi do të mund të kapë në krejt globalitetin e saj, pothuajse si në një libër të vetëm, një nga veprat më origjinale e më të shquara të këtij shekulli” për një shkrimtar shqiptar në historinë e letërsisë botërore.